Kulturë

“Më lër brenda, më lër jashtë” në një botë që s’njeh kufizime

Qysh në shikim të parë, vizitori e përjeton një ditë të personave me aftësi të kufizuara. Shtrati i vendosur në mes është mesazh që këta persona duhet të çohen e të dalin jashtë tij (Foto: Nok Selmani)
 

Ekspozita me autor Arbër Selmanin, e fut publikun në botën e personave me aftësi të kufizuara, e prej aty tenton ta nxjerrë në një botë që nuk njeh kufizime të tilla. “Më lër brenda, më lër jashtë” e hapur në katin e tretë të hotelit “Grand”, nuk është thjesht thirrje për gjithëpërfshirje e për integrim. Është ftesë për njohje

Një shtrat i mbuluar me të bardhë, ka tre karroca të vendosura mbi dhe pranë tij. Muri pak më larg, është i errët. Aty është një fotografi që ka një karrocë të mbetur mes dy veturave. Qysh në shikim të parë, vizitori e përjeton një ditë të personave me aftësi të kufizuara. Barna të ndryshme e dokumente që ua bëjnë edhe më të vështirë jetën, pasqyrojnë një anë tjetër e asaj nëpër të cilën duhet të kalojnë ata. Shtrati i vendosur në mes është mesazh që këta persona duhet të çohen e të dalin jashtë tij.

Ekspozita “Më lër brenda, më lër jashtë” e autorit Arbër Selmani bën thirrje për t’i integruar këta persona në jetën publike. Ka përzgjedhur emra të cilët po i thyejnë paragjykimet dhe me punën e tyre çdo ditë e bëjnë ndryshimin në këtë qasje. Një pjesë e katit të tretë të hotelit “Grand” e ndarë në dhoma të ndryshme ka bërë që Selmani në ekspozitën e kuruar me Arlinda Hajrullahun ta fusë publikun brenda krijimeve dhe përditshmërive të këtyre personave. Një fustan fëmijërie, me një fotografi të kornizuar të asaj që e ka veshur është pjesë e ekspozitës. Ato i përkasin Arbenitës, motrës së autorit të ekspozitës.