Kulturë

“Sikur...” me fatin e grave fut teatrin në apartamentin e katit të pestë

Sikur -
Idenë e realizimit të teatrit në një ambient të vogël regjisori Kushtrim Mehmeti me “Sikur...” e shndërron në teatër, në kushte shtëpie. Dhomat janë bërë skenë ku është shpalosur një shkrirje unike temash, por që emërues të përbashkët kanë gratë midis shtypjes e mbijetesës
 

Kushtrim Mehmeti ka zgjedhur apartamentin e tij privat për ta dhënë premierën e shfaqjes “Sikur...”. Me shtatë veta në publik, ka nisur një rrugëtim të ri tejet intim e të pazakonshëm të teatrit. Shfaqja trajton shtypjen dhe fatin e grave në dy kultura të ndryshme. Ndërkaq teatri në kushte shtëpiake do të vazhdojë edhe me shfaqjet “Ballkoni” dhe “Ditë vere”

Është një prej ambienteve më të pazakonshme për të bërë shfaqje. Po njësoj përcillen edhe pritjet e publikut, që tubohet në hyrje të një apartamenti në lagjen “Tophane” për të marrë ashensorin drejt katit të pestë. Aty i pret dera e hapur e regjisorit Kushtrim Mehmeti. U dëshiron mirëseardhje në hapësirën e tij ku banon tash e disa vjet. Atmosfera që krijohet jep përshtypjen sikur është një ndejë e vogël shoqërie mes shtatë vetash, por në të vërtetë është teatër në shtëpi.

Pas mikpritjes, publiku del jashtë. Regjisori ua jep sinjalin e fundit aktorëve dhe ata pozicionohen nëpër vendet e tyre të shpërndara nëpër dhomat e apartamentit. Fillimi i shfaqjes është tejet intrigues. Titullohet “Sikur...”.