Kulturë

Mulliqi: Rivendosja e shtatores e paraqet profesor Aganin si plagjiator

Shtatorja e vendosur më 12 qershor 2006, në atë që ishte parku para Fakultetit të Filologjisë, ishte larguar nga vendi shkaku i punimeve për ndërtimin e parkingut qendror të Prishtinës. Këto ditë ajo është kthyer për t’u vendosur në parkun që tash është improvizuar mbi parking. Por, mënyra se si ka zënë vend (djathtas) është krejt tjetër prej asaj që kishte dikur
 

“Tash me rivendosje po duket sikur po ikën nga studentët, sikur nuk është pjesë e tyre. Çka po ndodh tash nuk e di, por e di se është larguar nga koncepti. Po bëhet një shteg i veçantë për këtë skulpturë pa pasur shkallë”, ka thënë skulptori Luan Mulliqi, autor i shtatores së Fehmi Aganit. Për të është e papranueshme mënyra se si është rikthyer shtatorja para Fakultetit të Filologjisë, që u hoq prej aty me punimet për parkingun nëntokësor dhe mungoi për nja dy vjet. Sipas tij, shtatorja e Aganit nuk duket më ajo “e një profesori dhe e një mendimtari fin”, por “ngjan me një profesor plagjiator që ikën nga studentët e tij”

Më shumë se 16 vjet prejse u vendos në kryeqytet shtatorja e profesorit Fehmi Agani, skulptori Luan Mulliqi është duke u përballur me një situatë që, sipas tij, e zhbën krejt konceptin e tij si autor në raport me këtë vepër arti. Madje për të është e papranueshme se si po bëhet rivendosja e shtatores afër Fakultetit të Filologjisë.

Shtatorja e inauguruar më 12 qershor 2006, në atë që ishte parku para Fakultetit të Filologjisë, ishte larguar nga vendi shkaku i punimeve për ndërtimin e parkingut qendror të Prishtinës. Dy vjet qëndroi skutave të Fakultetit Filologjik.