Kulturë

28 Nëntori i jep fund sagës me shtatoren e Anton Çettës

Shtatorja e Anton Çettës tash e tre vjet qëndron në atelienë e skulptorit Agon Qosa në Ferizaj. Më në fund do të inaugurohet më 28 Nëntor
 

Të hënën, kur edhe shënohet Dita e Flamurit, shtatorja e Anton Çettës do të vendoset para Fakultetit të Filologjisë. Në nëntor të vitit 2020, Kuvendi i Komunës së Prishtinës kishte vendosur që shtatorja e mbledhësit të folklorit dhe prijësit të Lëvizjes për Pajtimin e Gjaqeve, e porositur nga Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memorialë, të vendoset afër udhëkryqit në oborrin e Fakultetit Filologjik. Kjo shtatore tash tre vjet qëndron në atelienë e skulptorit Agon Qosa, në Ferizaj. Kushtoi 60 mijë e 800 euro. Versioni i kësaj shtatoreje u zgjodh nga konkursi, në të cilin kishin marrë pjesë edhe Agron Blakçori, Idriz Balani, Agron Bytyçi, Maks Mero e Izeir Mustafa.

Për pamjen e shtatores kishin votuar njëzëri skulptori Burim Canolli, kryesues i komisionit, dhe anëtarët Ilir Balaj, po ashtu skulptor, Jetullah Sylejmani, piktor, arkitektja Donika Çetta, e bija e Anton Çettës, dhe inxhinieri Riza Krasniqi, anëtar i Këshillit iniciues për ngritjen e shtatores.