Kulturë

“Venus” në prapaskenat e raportit midis burrit e gruas

“Venus”, nën regji të Bashkim Ramadanit, në “Dodonë” shkon përtej një prapaskene për të fituar një rol teatri a përpjekjeve për ta vënë në skenë një tekst. Ajo këmbëngul në raportet gjinore mes një burri dhe gruaje
 

Ngjarja kryesore është një shfaqje teatri, personazhet janë aktorja e regjisori, shkak është një rol. Por “Venus”, e bazuar në përrallën “Venera në gëzof”, nëpërmjet shfaqjes brenda shfaqjes futet në prapaskenat e raporteve jo vetëm midis dy artistëve që i harrojnë rolet e zhvishen prej tyre, por zbërthen marrëdhëniet midis burrit e gruas

Skena hapet me vetëtimë e bubullimë. Gjithçka tjetër është e mbyllur brenda dyerve të teatrit dhe në skenë. Besart Zeneli, në rolin e regjisorit a dramaturgut, në një bisedë me të fejuarën e zbraz zhgënjimin për audicionin që po e mban. Nga mbi 20 aktore, asnjëra s’ishte e denjë për rolin e aktores për shfaqjen “Venus” bazuar në përrallën klasike “Venera në gëzof”. Një aktore e re që vjen prej një agjencie e përmbys gjendjen. Nga dëshpërimi, regjisorin e njohur e çon drejt skutave të panjohura. Audicioni shndërrohet në rrokullisje të situatave. Regjisori do të zhvishet shpesh nga roli i tij.

Në këtë frymë është zhvilluar shfaqja, nën regji të Bashkim Ramadanit, në teatrin “Dodona”, që është dhënë premierë të enjten mbrëma. Aktorja do që gjithsesi ta marrë rolin e saj në teatër. Thomas Novachekut, regjisor e dramaturg i dëshpëruar, nuk i duhet shumë kohë që t’i bindet Vandas, e cila më pas shfaqet gjysmë e zhveshur. Duke e vënë në skenë përrallën “Venera në gëzof”, ata thyejnë kufijtë mes adaptimit të saj në skenë dhe raporteve me njëri-tjetrin. Nga teksti që kanë përballë ata nxjerrin shumëçka nga brendia e tyre. E komentojnë edhe tekstin – edhe lidhjen e tij me të tashmen. Lidhjen me gjithçka – veçmas me teatrin dhe atë që ndodh prapa teatrit. Godet besnikërinë e burrave e mosbesimin e grave. “Venus” shkon përtej një prapaskene për të fituar një rol teatri a përpjekjeve për ta vënë në skenë një tekst. Ajo këmbëngul në raportet gjinore mes një burri dhe gruaje. Shfaqja është e bazuar në dramën “Venera në gëzof” të dramaturgut amerikan David Ives, regjisori është munduar që me konceptin regjisorial të mos i ikë konceptit që e prodhon teksti. Por, shfaqja nuk e nxjerr në skenë veç një aktore, por gjithkënd të profesionit tjetër.