Kulturë

“Përtej territ” gjen guximin, alarmon për dhunën në familje

Dokumentari “Përtej territ” i Donjeta Mejtanit vjen si një thirrje për ndërgjegjësim për dhunën në familje, e në të njëjtën kohë synon edhe nxitjen e grave për t’i raportuar rastet e dhunës
 

Janë tri rrëfime që bëhen bashkë në “Përtej territ” të Donjeta Mejtanit dhe ilustrojnë mijëra raste të një fenomeni. Mesazhi është i prerë: kundër dhunës. Çmon guximin e grave që nuk heshtin e kërkojnë drejtësi. Por realiteti është kontrast. Dokumentari u shfaq premierë as 24 orë para rastit që tronditi gjithë vendin: vrasja e gruas bashkë me foshnjën në bark, në oborrin e QKUK-së nga bashkëshorti i saj

“Përtej territ” në esencë është alarm. Në titull duket shpresëdhënës, por realiteti është kontrapunkti. Jep fakte, ilustron realitetin e errët dhe përtej territ mund të jetë vetëm thyerja e heshtjes së grave. Dokumentari i Donjeta Mejtanit, i dhënë premierë në “Kino Armata” të martën mbrëma, vjen si një thirrje për ndërgjegjësim për dhunën në familje, e në të njëjtën kohë synon edhe nxitjen e grave për t’i raportuar rastet e dhunës. U shfaq në kuadër të “16 Ditëve të Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”.

Në njëzet e pesë minutat e filmit shikuesi ka mundësi të dëgjojë tri histori të ndryshme të tri grave të cilat kanë qenë viktima të dhunës fizike e psikologjike të tashmë ish-burrave të tyre. Ato ende kërkojnë e presin drejtësi.