Kulturë

“Tuneli i fundit” me rastet e grave të vrara – thirrje për ndërgjegjësim

Në “Tunelin e fundit” të enjten në sheshin “Zahir Pajaziti”, rastet e 18 grave të vrara, viktima të dhunës në familje, janë thirrje e zëshme për ndërgjegjësim (Foto: SIT)
 

Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale dhe Hulumtime, SIT, ka organizuar edicionin e katërt të aktivitetit, “Tuneli i fundit”. Nëpërmjet tij, SIT-i synon vetëdijesimin e qytetarëve kundër dhunës ndaj gruas. Në platformën në formë tuneli, ekspozohen në formë pankartash rastet e ndryshme të grave të vdekura nga dhuna në familje.

Dafina Zhubi, Armenda Aliu, Hatije Dina, Feride Prokshi, Arianita Zahiti, Sevdije Berisha janë vetëm disa nga tetëmbëdhjetë profilet e grave në “Tunelin e fundit”. Ato u përkasin grupmoshave të ndryshme prej 17 deri në 54 vjeç, pa përfshirë edhe vrasjen e dy fëmijëve të tjerë, mosha e të cilëve nuk bëhet e ditur.