Kulturë

“Muzikë n’teatër” me tingujt që shpërndahen për energji e rrëfime

Nuk janë të shpeshta koncertet e tilla, e aq më pak edhe turnet nëpër Kosovë, kur një kantautor bashkë me miq bashkon këngët e veta, i sjell në format të ri dhe i ndan ato me publikun. Por Shpat Deda me Visar e Tomor Kuçin vënë standarde në skenën vendore. Janë nisur në turne me “Muzikë n’teatër” prej skenës së përkohshme të Teatrit Kombëtar të Kosovës

Secila këngë që mban vulën e kantautorit Shpat Deda është rrëfim më vete. E kur në interpretimin e tyre u bashkohen ata që janë përherë aty ku është muzika e mirë, Visar e Tomor Kuçi, rrëfimet marrin të tjera ngjyra. Energjia midis publikut e trios është e përhershme gjatë gjithë koncertit dhe zgjidhja për këtë ka qenë skena e teatrit. Pas Prishtinës e Ferizajt, janë edhe katër stacione të tjera të “Muzikë n’teatër”, siç është pagëzuar ky turne

Muzika që realizojnë si trio i ngjan një udhëtimi poetik. Tingujt bëhen adresë për përjetime të ndryshme. Por rrumbullakim i janë vargjet tejet delikate që shpesh edhe godasin. Jetësimi para publikut është fantastik. Këngët dalin prej formatit fillestar dhe marrin peshë edhe më me aranzhime.

Tashmë ato s’njihen veç si këngët lirike që falin një lloj qetësie, por të tilla që eksperimentohet me to. Një shembull kur Visar Kuçi brenda një kënge del nga fizarmonika në violinë, e pastaj në kitarë. Zërit të butë të Shpat Dedës i përshtatet energjia që lë në skenë edhe kitaristi Tomor Kuçi. Ajo që e kompleton edhe më shumë koncertin është hapësira e përzgjedhur. Amfiteatri i Teatrit Kombëtar të Kosovës – objekti i përkohshëm i TKK-së – bën që ato të shijohen artistikisht, duke e marrë vëmendjen e plotë të publikut. Interesimi është i dukshëm ende pa nisur koncerti. Salla është e mbushur plot. Ndërkaq kur nis koncerti, energjia mbahet tejet në nivel. Jo pak herë duartrokitjet dëgjohen në mes të këngës. Por Prishtina s’do të mbetet i vetmi vend që do ta shijojë këtë rrugëtim.