Kulturë

“As edhe një më shumë.” harmonizon tingujt në thirrjen kundër dhunës

Nën thirrjen “As edhe një më shumë.”, Filharmonia e Kosovës iu bashkua 16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore. Ndërlidhja e veprave në njërën apo tjetrën mënyrë me gratë, i shtyu që të japin mesazh për viktimat e dhunës e t’u thonë se nuk janë vetëm (Foto: Arben Llapashtica)
 

Filharmonia e Kosovës mori ngjyrë të portokalltë në mënyrë simbolike, e veprat qenë dedikim për të mbijetuarat e dhunës në baza gjinore. Me koncertin nën thirrjen “As edhe një më shumë.”, nën dirigjimin e maestros Chris McCracken, institucioni iu bashkua 16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore

Skena në Atelienë e Pallatit të Rinisë ndriçohet në të portokalltë dhe kjo është shenja e parë. Instrumentistët nuk kanë për detyrë vetëm interpretimin e veprave, por nëpërmjet tyre të përcjellin edhe mesazhe. Vepra kompozitorësh anglez, danez e norvegjez u bënë adresa për revoltë.

Në ulëse për publikun janë shpërndarë broshura. “Thyej heshtjen, raporto dhunën!”, është njëra prej thënieve. Nëpërmjet tyre jepen detaje se kush hyn në grupin e viktimave e cili është programi. Renditen numrat e qendrave strehimore për viktimat e dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore.