Kulturë

“Sober” lufton me varësinë në kërkim të kthjelltësisë

Premiera e “Sober”, nën regji të Butrint Pashës e bazuar në veprën e Duncan MacMillan “Njerëz, vende dhe gjëra”, bëhet shpërfaqje e po këtij titulli. Janë njerëzit, vendet dhe gjërat ato që i dështojnë tentativat e lënies së drogave dhe alkoolit, duke gjallëruar kujtesën emocionale (Foto: ArtPolis)
 

Vetë ambienti ku inskenohet shfaqja është i ftohtë e në kthina të Dispanserisë te Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Prishtinë, bash si jeta në labirint e personazheve. Janë të varur nga droga, por ia arrijnë të dalin prej saj. “Sober” – që ka kuptimin e kthjelltësisë apo të atij që është esëll – nuk i bën vetëm personazhet e tillë. Por shfaqja, nën regji të Butrint Pashës e bazuar në tekstin Duncan MacMillan “Njerëz, vende dhe gjëra”, lyp edhe kthjelltësi në qasjen ndaj këtij fenomeni e ndaj të varurve

Është një ambient që sa hutues, aq duket interesant për të parë një shfaqje aty. Në hapësirën ku shërohen sëmundjet e tuberkulozit e të mushkërive është vendosur të flitet artistikisht për drogat dhe alkoolin. E këtë me një mjeshtëri dhe lojë që është tejet intensive.

Gjithçka nis me britma e ikje nëpër dhomat e Dispanserisë së Sëmundjeve të Mushkërive te Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Prishtinë. Sa e dhimbshme dhe aq e afërt ndihet me publikun, i cili qëndron jashtë. Pas portretimit të një krize narkotike, ata udhëzohen të hyjnë brenda. Veç një shirit i kuq e ndan hapësirën e skenës dhe të publikut.