Kulturë

 “Prenk Jakova” e nderon Hadije Gjinalin si pedagogen me të cilën nisi një histori

Ceremonia përkujtimore mesditën e së mërkurës ka bashkuar profesorë, ish-nxënës e nxënës aktualë të shkollës ku Hadije Gjinali punoi deri në pensionim – në shkollën e muzikës “Prenk Jakova”
 

Miq, kolegë, ish-nxënës të saj e nxënës aktualë të muzikës janë bërë bashkë në kujtim të pedagoges së shquar të pianos, Hadije Gjinali, në shkollën e muzikës “Prenk Jakova”, aty ku ajo hapi një kapitull. Është nderuar me mirënjohje post mortem për kontributin e saj që përcillet sot ndër gjenerata që shkelin edhe skenat botërore të muzikës

Përkujtimi për pionieren e pianos erdhi në formën e njohjes e vlerësimit të kontributit të saj. Si e përpiktë në punë, e dashur me nxënësit, e kujdesshme si njeri e kontribuuese e artit që ka hyrë në histori të kulturës vendore është kujtuar Hadije Gjinali. Ceremonia përkujtimore mesditën e së mërkurës ka bashkuar profesorë, ish-nxënës e nxënës aktualë të shkollës ku Gjinali punoi deri në pensionim – në shkollën e muzikës “Prenk Jakova”. Dhjetë ditë pas vdekjes së saj është nderuar me mirënjohje post mortem, për gjithë kontributin që ka dhënë në edukimin e brezave.

Drejtoresha e shkollës së muzikës “Prenk Jakova”, Jeta Dida-Bujari, ka thënë se profesoresha Gjinali kujtohet si profesioniste që është shembull etik e pedagogjik. E ka çmuar faktin se nga zelli i saj kanë dalë gjenerata që e përfaqësojnë skenën muzikore në vend e në botë.