Qysh në fillet e karrierës do të kalonte kufijtë e Jugosllavisë që bashkonte gjashtë republika e dy krahina. Si 30-vjeçar do t’ia dilte që të ekspozonte hiç më pak se në Paris.
Simbolikat e trajtave e pasuria e ngjyrave të Daut Berishës u panë në shumë vende të botës e u bënë pjesë e muzeve e koleksioneve private. Piktori që kaherë ishte zhvendosur në Francë vdiq të hënën dhe u varros të mërkurën. Lajmi për vdekjen e tij në moshën 76-vjeçare u bë i ditur pasditen e së mërkurës. Gjatë karrierës ishte bërë një lloj murgu i profesionit të tij. Me aspak paraqitje në media e krejt pak pjesëmarrje në hapësirat publike shqiptare, Daut Berisha ishte bërë pjesë e elitës së artistëve në Francë.
Këtë e thonë edhe kolegët e tij nga Kosova, të cilët kishin rastin të njihnin atë dhe veprat e tij. Jetën e kishte goxha ekstravagante e aspak si shumica e njerëzve, përfshirë edhe të kolegëve të tij. Edhe me kërkesën e tij për ceremoninë e varrimit, theu të zakonshmen. Pa njerëz, pa njoftime në media, pa asnjë jehonë.
“Berisha e Kuqe” në vend të emrit në gurin e varrit
Një rreth shumë i ngushtë i familjarëve ia kanë dhënë lamtumirën e fundit Berishës të mërkurën, në varrezat e qytetit të Prishtinës. Kohëve të fundit ishte zhvendosur në Prishtinë, kur gjendja shëndetësore i ishte rënduar. Për herë të parë, prej ditës së tij të varrimit, ata që do të kalojnë nga ajo pjesë e varrezave do të hasin në një varr ku nuk ka emër as mbiemër. Do të shohin pllakën me mbishkrimin “Berisha e Kuqe”. Ashtu kërkoi vetë artisti. Poshtë mbishkrimit është vendosur viti i lindjes dhe ai i vdekjes.
Daut Berisha u lind më 1946 në Pejë, ku kreu shkollimin fillor dhe të mesëm. U diplomua në Akademinë e Arteve Aplikative në Beograd, ndërsa studimet pasuniversitare i kreu në Akademinë e Arteve të Bukura në Paris. Prej vitit 1973 mori pjesë në ekspozita të përbashkëta më piktorët francezë, sidomos në “Grande Palais” dhe në galerinë “Ires Clert” të Parisit. “Ekspozoi në Paris (1977, 1979), Mont la Jolie (1979), Nansye (1982) Vale de Bravo, Meksikë (1982), Los Angeles (SHBA)”, shkruhet në biografinë e tij në “Fjalorin Enciklopedik të Kosovës”, botuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. Njeriu, portreti, qe kryefjalë e veprës së tij. Siç shkruan kritiku Rexhep Goçi në “Fjalor...”, botën reale dhe joreale të njeriut, Daut Berisha në pikturat e tij i ktheu në formësim artistik, herë si dritë fizike dhe herë si rrëfim shpirtëror.
“Në fillim artin e tij e përcolli simbolika e trajtave dhe më vonë pasuria e ngjyrave. Veprat e tij gjenden në shumë koleksione private, galeri e muze”, ka shkruar Goçi.
Artisti i vlerave të pakontestueshme
Skulptori Luan Mulliqi, anëtar korrespodent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ka thënë se Berisha ishte një prej artistëve shumë premtues në fillimet e karrierës tij, posaçërisht në vitet e hershme kur edhe ishte vendosur në Paris.
“Prej asaj që kam parë nga vizitat e mia në Paris dhe takimeve me të, ishte në elitën e lartë artistike të asaj kohe. Disa herë kam pasur rastin ta takoja Dautin”, ka treguar Mulliqi. Ka rrëfyer se gjatë kohës sa ishte drejtor i Galerisë Kombëtare të Kosovës e kishte takuar disa herë Berishën në Paris e po ashtu në GKK. Kishin biseduar gjatë për një ekspozitë personale të Berishës në institucionin më të lartë të artit në Kosovë. Madje, për këtë çështje ishin takuar edhe me Gëzim Qëndron që ishte drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve në Shqipëri.
“Krijuam një koncept që së pari të hapet një ekspozitë në Prishtinë e pastaj të njëjtën ta hapte edhe në Tiranë”, ka treguar Mullqi. Por, bash në stilin e vet, Berisha kishte hequr dorë nga ekspozita.
“Gjatë një vizite që kisha në Paris në atelienë e tij në Paris, kemi qenë shumë afër ta realizojmë atë projekt, mirëpo për arsye që të them të drejtën nuk i di, në momentin e fundit kishte vendosur që prezantimin për artdashësit shqiptarë ta bënte në një kohë kur ai do të përgatitej më mirë”, ka treguar Mulliqi.
Sipas tij, Berisha ishte prej atyre artistëve që kishte një përgjegjësi jashtëzakonisht të madhe ndaj artdashësve, dhe mendonte që artisi duhet të jetë së pari i sigurt në vete që një ekspozitë ia vlen të hapet.
“Kemi një numër të madh të artistëve të cilët kanë një oportunizëm në prezantime dhe shpeshherë ato ekspozita i organizojnë vetëm për afirmim medial, pa ndonjë koncept të qëlluar paraprakisht. E Dauti nuk i donte aspak këto gjëra”, ka thënë Muilliqi.
Gjatë vizitave që ia kishte bërë atij, kishte vërejtur se shoqërohej me elitën e artistëve të kohës, posaçërisht atyre që vinin nga Jugosllavia dhe kishin bërë emër të madh në Evropë e përtej, si me malaziasin Miodrag Gjuriq, e kroaten Jagoda Buiq, e njohur gjithandej për instalacionet e tapiceritë monumentale.
Piktorja Zake Prelvukaj e ka përshkruar Berishën si artist vërtet ambicioz e shumë të mirë. Ka thënë se kishte art karakteristik për kohën që ka jetuar.
“Motivin e kishte gjysmë-abstrakt. Më pas shkoi në Francë që të jetë në një botë më të zgjeruar. Pos pikturës e ka dashur shumë jetën. Është shoqëruar me artistë të ndryshëm”, ka thënë ajo. Ka përmendur se ishte i mirëpritur gjithmonë në Galerinë Kombëtare të Kosovës.
“Shpresoj që veprat që i ka pasur do ta pasurojnë trashëgiminë tonë kulturore dhe duhet të bëjmë çmos që t’i kemi pjesë të muzeve dhe galerive tona në Kosovë. Vlerat e tij janë të pakontestueshme. Çdo artist në veprat e tij e tregon edhe jetën e vet sado pak. Ishte personazh shumë interesant”, ka thënë ajo.
Akademik Sabri Hamiti e ka kujtuar Berishën nëpërmjet poezisë së tij që për titull ka emrin e artistit. Te vëllimi poetik “Trungu ilir” (1979), Hamiti kishte prekur disa aspekte të Berishës.
“Nga vendlindja bart pezmin / Me të cilin zonjave ua prish gjumin / E u fal ëndrra të rënda”, janë tri prej vargjeve. Pezmi i Berishës shpërfaqet edhe në veprat e tij që zbërthejnë shumë simbolika e u japin frymë provokimeve.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.