“Daily Archived” në përditshmërinë që bëhet art

Pikërisht në vendin ku i realizuan veprat për afro dy muaj, në “Paper Gallery”, Lumturie Krasniqi, Arbnor Karaliti dhe Yll Xhaferi janë rikthyer të enjten mbrëma për ta hapur ekspozitën me po ato vepra. Aty është përditshmëria e tyre prej këndvështrimit artistik, proces të cilin e ndanë me publikun
Ashtu siç asocion edhe titulli, “Daily Archived” është vërtet një arkivim në baza ditore dhe e natyrshme, artistët e bëjnë këtë nëpërmjet artit. Janë tri këndvështrime, po aq artistë dhe përditshmëria e titullit hyn në lojë edhe te zbërthimi i procesit të punës.
Lumturie Krasniqi, Arbnor Karaliti dhe Yll Xhaferi për dy muaj qenë bërë bashkë në “Paper Gallery” në atë që u cilësua si studio e hapur, bënë art aty, publiku qe i lirë t’i shihte në proces pune. Treshja ka qenë bashkë edhe të enjten mbrëma, kur u hap ekspozita me veprat e realizuara gjatë procesit të asaj periudhe.
Të përbashkëtat e dallimet ndërmjet njeriut e gjarprit, koleksionimi i shkrimeve në objektet e kryeqytetit ndër vite e projektimi i artistëve nga artisti, janë tërësi e ekspozitës “Daily Archived” që bashkon shtatë vepra. Në kohën e paralajmëruar për vernisazh, në 19:00, hapësira e një prej dhomave ekspozuese çdoherë zvogëlohet kur secilën herë rritej numri i të pranishmëve. Duke ua hedhur një vështrim të përgjithshëm veprave, përdorimi i shumë ngjyrave është e para gjë që përceptohet. Pas tyre mbishkrimi në pjesën e përparme prej xhami të dhomës ekspozuese. Shikuesi njoftohet se aty është pika bashkuese e njohjes së tij me botën artistike të autorëve nëpërmjet pamjeve të projektuara prej tyre.
Portretet janë qendrore në krijimtarinë e Arbnor Karalitit. Njëjtë ishte prezantuar edhe verën e kaluar në kuadër të bienales nomade “Manifesta 14”. Të veçanta, e dy prej tri veprave të tij të ekspozuara në “Paper”, janë portretizimet e dy kolegëve të tij me të cilët ka ndarë hapësirën në kuadër të projektit “Në duart tona”. “Ylli shoku jem” me vaji në lin, në dimensione 50 me 45 centimetra paraqet portretin e Yll Xhaferit në një version të animuar për nga vijat e theksuara dhe dominimin e ngjyrave, por edhe real në të njëjtën kohë me hijezimet e detajet në pjesën e fytyrës. Ani pse në ambientin e punës nuk kishte një sfond aq atraktiv, në pikturën e tij e vendosi një të tillë prej kubesh me kontrastin mes tonit të së njëjtës ngjyrë – të blertë. “Cuteculji” është tjetër vepër e Karalitit në të cilën, për dallim nga dy të tjerat, përshkruan edhe ambientin rreth subjektit. Personazhi që i jep kuptim veprës paraqitet në objekt më të ngrohtë, në divan me dizajnin prej dy ngjyrash dhe tapet të kuq, pranë tij një lule. Vepra “Lumja n’xhamper me vija” e projekton Lumturie Krasniqin në dominim me ngjyrën e kaltër. I gjithë sfondi dhe bluza e saj bashkë me detaje të tjera të vogla projektohen me anë të kësaj ngjyre në punimin ku personazhi në të është shprehur mjaft i lumtur për punimin artistik, sikurse edhe Yll Xhaferi në punimin në të cilin e ka paraqitur Karaliti.
“Krejt njerëzit që unë i pikturoj janë njerëz përreth meje, shoqëri apo persona të caktuar. Edhe kësaj here, Yllin dhe Lumturien kam vendosur t’i pikturoj pasi kanë qenë personat që i kam takuar më së shpeshti, ndoshta çdo ditë gjatë punës këtu dhe kam menduar se është rezultat i mirë të shihen dy artistë të pikturuar nga një artist tjetër ku i kemi ndarë studiot bashkë”, ka thënë Karaliti. Ka vlerësuar se në ekspozitë ka qenë punë goxha atraktive pasi vizitorët i njihnin figurat e paraqitura dhe ishin më afër njohjes me procesin e punës.

Para kësaj ekspozite, bashkë me Yll Xhaferin kishin qenë pjesë e ekspozitës kolektive në prezantimin e artit bashkëkohor në Sofje të Bullgarisë.
Xhaferi, nëpërmjet dy veprave me teknikë të kombinuar paraqet shmëllojshmëri ngjyrash, që në shikim të parë ngjajnë në grafite rrugësh. Të projektuara si copa të bashkuara në një, në fakt ato ngërthejnë histori. Janë punuar në formate të mëdha. Nuk kanë titull.
“Është teknikë e kombinuar, kam dashur të bëj një eksperiment gjatë kohës sa kemi qenë këtu. Kam marrë disa shkrime në mure në disa pjesë të Prishtinës, por pa e pasur idenë çfarë jam duke bërë, shkrime që kanë qenë ndër vite. I kam marrë si fragmente dhe i kam kthyer në art, në njëfarë pop- abstraksioni”, është shprehur Xhaferi.
Së fundmi, po në Prishtinë qe shfaqur vepra e tij “Groundless” në kuadër të ekspozitës “In the Making” në hapësirën e “Galerisë 17” e cila vinte si shpërfaqje e artificialitetit të tokës në kohë moderne.
Me teknika të kombinuara ka punuar edhe artistja Lumturie Krasniqi, e cila trajton figurën e gjarprit në dy piktura. Një formë prej kodre të zezë krijon imazhin e pamjes gjatë natës, ndërsa figura e gjarprit sipër saj bëhet iluzion për fuqinë mbinatyrore të figurës. Formësimi i saj prej ndarjes së gjarprit në disa degë e pështjellimet e tij tek qëndron në qiell e bëjnë të veçantë “The Snake Above the Hill” në dimensione 180 me 120 centimetra. Një seri veprash me titullin e kësaj vepre do të jetë vazhdimësi e paraqitjeve të tjera të Krasniqit.
“Këto janë dy vepra që janë seri që e kam filluar ku metaforikisht po e trajtoj figurën e gjarprit në raport me njeriun duke trajtuar dy ngjashmëri dhe dallime të mëdha nëse i vendosim në aspektin e sjelljes së gjarprit si gjallesë dhe njeriut, por në anën tjetër të sjell një figurë të frikshme por të dashur në të njëjtën kohë. Kjo dallon tek njerëzit. Disa e kanë të preferuar por shumica e kanë fobi”, ka thënë ajo. Ka simbole brenda veprës së saj.

“Tentoj të sjell metaforën e gjaknxehtësinë dhe gjakftoftësisë që biologjikisht nëse bëhet një shkëmbim mes njeriut dhe gjarprit në sjelljet e tyre, ka logjikë në dy anët”, ka thënë ajo.
“Cold Hot Blooded Species” është vepra tjetër e saj që reflekton nga këndvështrime të ndryshme figurën e gjarprit.
Duke vënë në pah dallimet midis artit të dikurshëm dhe atij të sotëm, grafisti Musë Prelvukaj ka çmuar punën e tre artistëve duke vlerësuar se i pret shumë punë përpara.
“U befasova për të mirë, për arsye se sonte paraqitet një gjeneratë e re. Janë punime që frymojnë në artin bashkëkohor. Shoh tek ta cilësi edhe pse këtu i kemi tre krijues, shihet fryma dhe dëshira për të treguar kreativitetin shpirtëror. Shikuesve u ofron çaste të bukura dhe me to komunikojnë me ta. Janë disa faza që janë respektuar më parë, por është mirë që krijuesit e vjetër të bashkohen me të rinjtë”, ka thënë Prelvukaj. Një ekspozitë retrospektive e tij me vizatime ishte shpalosur në “Paper Gallery” në nëntorin e vitit të kaluar.
Grafisti Veton Gusia po ashtu ka qenë i pranishëm me rastin e hapjes së ekspozitës, të cilën e ka vlerësuar si tejet të kapshme dhe si shprehje kualitative teknike e artistike.
“Më ka lënë shumë përshtypje hapësira ku i kanë bërë gati veprat, më vjen mirë që përfundoi dhe ata prezantuan veprat. Përveç se dua t’i lavdëroj, edhe ne po mundohemi të kapim atë çfarë kanë dashur të thonë. Shprehja e tyre teknike e artistike është pa dyshim kualitative si të rinj me shumë talent, por në anën tjetër edhe hapësira që e ka dhënë ‘Paper’, për ta ofruar artin sa më në qendër”, ka thënë Gusia.
“Paper Gallery” ka qenë nikoqir i ekspozitave të autorëve e mediumeve të ndryshme gjatë vitit të kaluar. Koordinatori i “Paper Gallery”, Vullnet Jakupi, ka thënë se praktika e studios së hapur është e vetmja e tillë, jo veç në skenën vendore, por edhe më gjerë. “Jo veç në ‘Paper Gallery’, por në asnjë galeri në Ballkan, se për më gjerë nuk kam informata, nuk është praktikuar një lloj i tillë i ekspozimit jo vetëm të punëve të artistëve, por edhe i procesit që ka ardhur deri tek puna finale e që ekspozohet sot. Ka qenë kënaqësi t’i shohim duke punuar, duke parë procedurën, duke parë publikun shumë afër artistit dhe duke kuptuar vijën që artistët e ndjekin tek krijimtaria e tyre”, ka thënë Jakupi derisa ka bërë të ditur se me këtë ekspozitë edhe është mbyllur programi trevjeçar i galerisë “Paper”, i cili kishte për qëllim kryesisht promovimin e artistëve të rinj.
Pas kësaj ekspozite, “Paper Gallery” do të lansojë edhe katalogun me gjithë ekspozitat gjatë tre vjetëve, derisa organizatorët kanë paralajmëruar se bashkë me “Prishtina Biennale” do të sjellin risi për skenën e artit në Kosovë.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.