Kulturë

Projektligji për kinematografi drejt miratimit final, pavarësisht kritikave

Me 62 vota për, 1 abstenim dhe asnjë kundër, të enjten Projektligji për kinematografi është miratuar në parim (Foto: Alban Bujari)
 

Me një sagë prej 15 vjetësh, zëvendësimi i Ligjit për kinematografi me një të ri ka bërë hapin e radhës. Projektligji është miratuar në parim, pavarësisht kritikave. Kompetencat e shtuara të drejtorit të Qendrës Kinematografike e statusi i “KosovaFilmit” janë dy prej tyre që janë përmendur edhe të enjten në Kuvendin e Kosovës. Shoqata e artistëve të filmit “Pro Arte” ka kohë që këtë projektligj e cilëson produkt nga një “grup amatorësh anonimë të shokëve të ministrit të Kulturës”

Kuvendi i Kosovës ka përfunduar gjysmën e punës sa i përket Projektligjit për kinematografi. Me 62 vota për, 1 abstenim dhe asnjë kundër, të enjten ky projektligj është miratuar në parim. Shumica e votave ishin të pozitës, përderisa më shumë se gjysma e deputetëve opozitarë nuk ishin në seancë.

Me gjithë kritikat, Projektligjin e ka votuar edhe deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha. E LDK-ja nuk ka paraqitur kurrfarë qëndrimi. Me këtë projektligj synohet zëvendësimi i Ligjit të kinematografisë që është në fuqi prej vitit 2007.