Kulturë

“I kemi varros baballarët” i hapet rruga me trofeun e parë në Francë

Në edicionin e 45-të të “Festival du Court Métrage de Clermont-Ferrand”, filmi ““I kemi varros baballarët” ka konkurruar në garën kombëtare si produksion i Francës, ku jeton e vepron regjisori Hekuran Isufi
 

Filmi debutues i Hekuran Isufit, që përcjell fatin e të riut nga Kosova, Dardanit, ka marrë Çmimin e Société des Auteurs et Compositeurs Dramatiques (SACD) për filmin e parë artistik në prestigjiozin “Festival du court métrage de Clermont-Ferrand”. Po në këtë festival – që nisi më 27 janar dhe përfundon të shtunën – në garën ndërkombëtare është “Prishtina 2002” i Trëndelinë Halilit. “Jam gëzuar shumë që kam fituar një çmim në Clermont, është çmim i vlefshëm, pasi është i pari dhe që më hap rrugë për të bërë filma të tjerë”, ka thënë Isufi për KOHËN

Hekuran Isufi ka goditur me projektin e tij të parë, “I kemi varros baballarët”. Me filmin në të cilin në 23 minuta përcjell jetën e Dardanit, të riut kosovar me banim në Francë, është shpërblyer në prestigjiozin “Festival du court métrage de Clermont-Ferrand”. Në edicionin e 45-të të këtij festivali, ku ka konkurruar në garën kombëtare si produksion i Francës, ku jeton e vepron Isufi, ka marrë Çmimin e Société des Auteurs et Compositeurs Dramatiques (SACD) për filmin e parë artistik. Po në këtë festival – që nisi më 27 janar dhe përfundon të shtunën – në garën ndërkombëtare është “Prishtina 2002” i Trëndelinë Halilit.

Rrëfimi i “I kemi vrarë...” shpalos historinë e Dardanit (Don Shala) tek kthehet në vendlindje. Babai i tij ka vdekur. Që në titull prek thelbin e humbjes së prindërve. Ujkani (Valdrin Osmani) i rebelohet atij pasi është ndarë nga familja, por në të njëjtën kohë ndien keqardhje. Rebelimi i Ujkanit manifestohet duke mos e dërguar Dardanin te varri i babait. Shesh-xhirimet e filmit kanë zbarkuar në varrezat e lagjes “Dardania” në Prishtinë, në shtëpinë e familjes së Isufit dhe në aeroportin “Adem Jashari”. Kishin filluar në fund të janarit të kaluar dhe gjithë përgatitja e filmit kishte zgjatur tri javë.