Njëzet rock bende të reja janë formuar dy vjetët e fundit sipas gjetjeve të hulumtimit të qendrës së muzikës alternative “Defy Them”. Në anketimin ishin përfshirë 2 mijë të rinj në Prishtinë dhe prej tyre 23 për qind ishin deklaruar se dëgjojnë më së shumti muzikën rock. Sipas anketës së tyre, numri i grupeve të reja është më i madh se kurrë më parë, ku ato të formuara dy vjetët e fundit po regjistrojnë këngët në tri qendra të rock muzikës. Vetë numri i këtyre qendrave është vlerësuar si dëshmi e interesimit të madh të të rinjve për këtë zhanër.
“Gjatë viteve të fundit muzika rock në Kosovë është duke e përjetuar një rilindje. Numri i grupeve aktive në Kosovë ka rritje rekorde e po ashtu edhe interesimi i audiencës. Sidomos tek të rinjtë kjo rritje është në masë të madhe dhe me perspektivë të qartë për rritje të mëtutjeshme. Këtë e dëshmojnë edhe festivalet e shumta të muzikës rock, të mbushura me publik e që organizohen gjatë tërë vitit në Kosovë”, shkruhet në njoftimin e qendrës “Defy Them” në Prishtinë, e cila është e përqendruar në muzikën alternative, punk, rock dhe metal. Sipas kësaj Qendre, në dy vitet e fundit në kryeqytet janë formuar 20 grupe dhe janë duke ushtruar e incizuar në 3 qendra të rock muzikës.
Vokalisti i grupit “Hithat”, Luan Tashi, e ka cilësuar rritjen e interesimit për muzikën rock si vazhdimësi e asaj që në botë është tash e shtatë dekada. “Normalisht që si stil muzikor do të ishte e logjikshme që të vazhdojë deri në pafundësi sikurse gjithë stilet e tjera që ekzistojnë në botë. Madje për mua është muzikë që duhet ta bëjnë të gjithë. Nuk është muzikë e tastaturave ku shumica e muzikës krijohet, por është muzikë ku njerëzit takohen dhe të gjithë duhet ta kenë instrumentin, ta mësojnë me vite e më pas të komponojnë. Domethënë angazhimi i rockerit dhe bendit është shumë më i madh sesa një i ri që bën muzikë argëtuese”, ka thënë Tashi.
Sipas tij, rocku si zhanër muzikor ka një publik gjigant në botë dhe si i tillë ndikon në vazhdimësinë e tij në Kosovë.
“Ndikon shumë dhe duhet të ndikojë te të rinjtë, të mos përqendrohen vetëm në një stil të muzikës. ‘Rock n’roll’ duhet të ekzistojë se është trend botëror dhe është shumë mirë që vetëm këta dy vjetët e fundit qenkan 20 bende që performojnë, shpresoj të bëhen edhe më shumë”, është shprehur ai.
Anëtari i grupit “Armadillo Blues Band”, kitaristi Muhamet Veseli – Muha ka vlerësuar ngritjen e interesimit të të rinjve për muzikën rock, përkundër asaj se mendon që ka pak hapësirë për këtë zhanër. Ai ka treguar se vetë i biri i tij po mëson rockun bashkë me një grup të rinjsh.
“Ka ndikuar përmirësimi i kushteve pas pandemisë, por edhe Komuna e Prishtinës u ka ndihmuar pasi është duke punuar në qendra kulturore. Po ka pak vende ku të plasohet kjo muzikë, nuk po ka aktivitete, por bendet po përgatiten pasi këtë verë do të ketë festivale ku do të paraqesin vlerat e tyre”, ka thënë Veseli.
Nga “Defy Them” kanë paralajmëruar publikimin e anketës së plotë që nxjerr në pah të dhëna të tjera të rëndësishme për muzikën dhe mediat, me ç’rast këtyre të fundit u kanë bërë thirrje për bashkëpunim në transmetim të prodhimeve të tyre muzikore.
“Në të shumtën e rasteve muzika trajtohet si argëtim i shpejtë dhe lehtë i pranueshëm nga masat, dhe shumë shpesh me muzikë dhe tekste të cilat promovojnë dhunë e fenomene të tjera jo të mira për shoqërinë. Kjo ka qenë e kuptueshme deri para disa vjetësh, kur ka pasur pak e hiç prodhim të muzikës alternative. Por tashmë prodhimi i këngëve dhe videoklipeve të muzikës alternative është vazhdimisht në rritje e që mund të jetë edhe një moment i duhur për ndryshim pozitiv në këtë drejtim”, shkruhet në komunikatën e “Defy Them”.
“Defy Them” është kthyer në qendër të kulturës alternative që nga prilli i kaluar. Strehimorja e dikurshme në “Bregun e Diellit” akomodon shkollën e muzikës rock, hapësira të ushtrimeve për artistë, studio për incizime, skenën për live performanca e hapësirën ekspozuese të artit.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.