Kulturë

Art-terapia hap botën shumëngjyrëshe të fëmijëve

Art-terapia “Krijime të shëndetshme dhe njohje me trashëgiminë kulturore” është projekti i nisur nga vetë Pranvera Sylejmani në Ferizaj e që i bën bashkë fëmijët me sindromën Down dhe me autizëm, në kurse të artit figurativ dhe atij muzikor. Përveç artit, ata marrin trajnime të tjera psiko-sociale, në të cilat gjejnë inspirimin për veprën e radhës
 

Piktorja Pranvera Sylejmani në atelienë e saj në Ferizaj ua mëson artin mysafirëve. Janë anëtarët e “Down Syndrome Kosova”, të cilët një herë në javë bëjnë art-terapi e në të njëjtën kohë e shprehin talentin e tyre në art figurativ. Me një projekt si ky, ajo thotë se ka për qëllim t’i shtyjë këta fëmijë drejt zhvillimit emocional dhe artistik

Lulet, kafshët shtëpiake, frutat dhe figurat abstrakte gjeometrike janë vetëm disa prej elementeve në vizatimet dhe pikturat e realizuara nga nxënësit e piktores. Nuk janë këta nxënës të cilët i ndjekin kurset e rregullta të Pranvera Sylejmanit.

Flertoni 14-vjeçar, me anë të një vizatimi ka paraqitur rrugën për në atelie bashkë me mësuesen, e cila në dorë mban një luledielli. Në shikim të parë vizatimi mund të duket fare i thjeshtë, ani pse është i mbushur me zemra, lule e diell. Aty paraqitet një vend i cili brenda pak kohësh është shndërruar në hapësirë ku ndihet i sigurt dhe ku mund ta shpalosë imagjinatën e tij plot me ngjyra e forma të bukura.