Kristalet vezullojnë bashkë me nderimin për kontributin e minatorëve
Ekspozita “Udhëtimi frymëzues i minatorëve” ka ardhur në 15-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, duke sjellë nga Mitrovica në Prishtinë një koleksion kristalesh me forma karakteristike e pamje vezulluese
Tjetër hijeshi i kanë dhënë Muzeut Kombëtar të Kosovës kristalet e mineralet e nxjerra nga minierat e Trepçës. Pos bukurisë e vezullimit, ato janë bërë bashkë në ekspozitën “Udhëtimi frymëzues i minatorëve” edhe për t’i nderuar ata që i kanë nxjerrë dhe për t’ua njohur kontributin në momente historike të Kosovës e për shtetndërtim
Duket sikur secili mineral e kristal ka histori më vete. Bukuria është njëra anë, por se si janë nxjerrë e përkushtimi për to ua rrisin peshën. Nëpërmjet tyre, ekspozita “Udhëtimi frymëzues i minatorëve” nuk ka për synim të shpërfaqë vetëm shkëlqimin, por edhe t’i nderojë minatorët si vendimtarë në kthesa të mëdha historike dhe shtetndërtuese. Një ngjarje si kjo ka ardhur në 15-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, duke sjellë nga Mitrovica në Prishtinë një koleksion kristalesh me forma karakteristike e pamje vezulluese. Tjetër hijeshi i kanë dhënë Muzeut Kombëtar të Kosovës kristalet e mineralet e nxjerra nga minierat e Trepçës.
Driton Avdiu, autor i ekspozitës, ka thënë se me bukurinë e tyre do të theksojnë rolin e rëndësishëm të minatorëve në shtetndërtim dhe krenarinë për pasuritë kombëtare të Kosovës.
“Po e përjetojmë një moment frymëzues me hapjen e kësaj ekspozite të veçantë me minerale dhe kristale. Kjo ekspozitë ofron një pamje të veçantë në Muzeun Kombëtar të Kosovës me titullin ‘Udhëtimi frymëzues i minatorëve’. Hapja e kësaj ekspozite është nder i madh sepse jemi duke përshëndetur një pjesë të së kaluarës sonë historike. Për nder të 15-vjetorit të Pavarësisë dhe të muajit shkurt, ‘Udhëtimi frymëzues’ i minatorëve është një dëshmi e përkushtimit të një koleksioni mineral dhe kristal që është i veçantë për mënyrën se si e mahnit syrin e vizitorit”, ka thënë Avdiu.
Ibrahim Musa, përfaqësues i Muzeut Shtetëror të Mineraleve dhe Kristaleve në Mitrovicë, ka bërë ftesë për të gjithë që të marrin pjesë në këtë ekspozitë.
“E falënderojmë Muzeun e Kosovës për bashkëpunimin për ta hapur këtë ekspozitë sepse mendoj që ka rëndësi të veçantë sepse është ekspozitë për nder të pavarësisë dhe për nder të javës së minatorëve. Ne i ftojmë të gjithë të marrin pjesë dhe t’i shikojnë këto kristale, i ftojmë edhe në muzeun tonë atje të vijnë dhe ta shikojnë sepse Kosova ka shumë kristale dhe në muzeun tonë gjenden ato, por ne i kemi sjellë një pjesë të tyre të ju tregojmë të gjithëve sa të bukura dhe sa ia vlejnë këto kristale”, ka thënë Musa, ciceron në Muzeun Shtetëror të Mineraleve dhe Kristaleve.
Shefi i sektorit të historisë në Muzeun Kombëtar të Kosovës, Sadik Krasniqi, ka thënë se në Muzeun Kombëtar shfaqen eksponate nga fusha të ndryshme.
“Kësaj radhe kolegu jonë ka zgjedhur këtë ekspozitë në bashkëpunim me Muzeun Nacional të Kristaleve në Mitrovicë që të eksplorojnë dhe të prezantojnë më së miri multidimensionalitetin e aspekteve të tjera. Pra, krahas profileve të historisë, të arkeologjisë, etnologjisë, ka edhe profile të tjera, siç është gjeologjia në rastin konkret. Pra këtu jemi në një ekspozitë ku ka kristale. Që është një pasuri e jashtëzakonshme e Kosovës”, ka thënë Krasniqi.
Muzeu i Kristaleve dhe Mineraleve që ndodhet në Stantërg të Mitrovicës ka rreth dy mijë eksponate të cilat janë ndër më uniket në Evropë e shumë të çmueshme në botë. Konsiderohet si njëri prej muzeve unike jo vetëm në Kosovë. U themelua më 1964 e më 2012 me fonde të Qeverisë së Republikës së Kosovës është ndërtuar objekti modern i këtij muzeu. Sipas zyrtarëve të këtij institucioni, 95 për qind e eksponateve janë të minierës së Trepçës, ndërsa ka edhe nga Portugalia, Maroku, Brazili, Japonia dhe vende të tjera të botës.
“Udhëtimi frymëzues i minatorëve” do të qëndrojë i hapur dhjetë ditë, në katin e dytë të Muzeut Kombëtar të Kosovës.