Kulturë

Rrethanat kombëtare e ndërkombëtare të Pavarësisë së Shqipërisë dhe Kosovës

Pavarësia e Shqipërisë lindi në apogjeun e krijimit të një Aleance Ballkanike antishqiptare dhe luftës fitimtare të saj kundër Perandorisë Osmane
 

Këta 15 vjet të jetës së pavarur të Kosovës sigurisht që kanë qenë të vështirë por, krahasuar me tronditjet e mëdha që pati Pavarësia e Shqipërisë në dy dekadat e para, kanë pasur tregues shumë më pozitivë dhe vështirësitë kanë qenë shumë më të vogla. Këtu kemi parasysh vetëm ato që u shkaktuan nga faktorët e brendshëm, pasi ndikimi i faktorëve ndërkombëtarë ka qenë edhe më i madh

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 Shkurt 2008 ishte akti i dytë madhor i një kuvendi shqiptar. Kuvendi Kombëtar i Vlorës më 28 Nëntor 1912 shpalli Pavarësinë e të gjitha trojeve dhe të kombit shqiptar, por gjysma e tij nuk arriti ta jetësonte atë dhe u aneksua nga shtetet fqinje. Pjesa më e madhe dhe më solide e territoreve të aneksuara - Kosova i mbijetoi me sakrifica e dhimbje të mëdha të asimilimit, dëbimit dhe asgjësimit, dhe pas afro një shekulli shpalli Pavarësinë e saj, e krijoi një shtet të dytë të pavarur shqiptar, në pamundësi që të bashkohet me shtetin amë.

Studimi i rrethanave të këtyre dy ngjarjeve të mëdha historike ka vlerë për të kuptuar më mirë dimensionet, faktorët që ndikuan në to, si dhe perspektivën historike të zhvillimit politik të kombit shqiptar