Kulturë

Filharmonia me “Frymë” e merr Klinën në lëvizje tingujsh

“Filharmonia në lëvizje” ka vazhduar rrugëtimin nëpër qytetet ku s’ka qenë më parë. Të mërkurën mbrëma Orkestra Frymore e Filharmonisë së Kosovës frymoi për herë të parë në Klinë. Ky takim solli emocione të veçanta si për interpretuesit, ashtu edhe për publikun

Në secilin vend që ndalet, “Filharmonia në lëvizje” merr gjithnjë e më tepër kuptim dhe Klina ka qenë qyteti i radhës që ka përjetuar për herë të parë lëvizjen e tingujve. Debutimi i institucionit më të lartë muzikor nuk është vetëm historik, por kapitull që shënohet prej emocioneve të papërjetuara më parë

Se publiku i qyteteve të vogla të Kosovës di të mirëpresë në mënyrë të denjë Filharmoninë e Kosovës, është dëshmuar edhe në Klinë, aty ku Filharmonia e Kosovës u ndal për herë të parë me koncert të mërkurën mbrëma. Shenjat për këtë janë dhënë ende pa nisur koncerti, me duartrokitje të gjata.

Koncerti “Frymë” tashmë ka hapur shumë shtigje të reja, të pashkelura më parë nga Filharmonia. Megjithatë, në Klinë ka dalluar prej atyre të mëhershmeve në Suharekë, Kamenicë apo Viti. Në qendrën e kulturës “Jehona e Dukagjinit”, koncerti u organizua në kuadër të shënimit të 15-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe 25-vjetorit të Epopesë së UÇK-së.