Te rrugët, një antropolog i zoti si puna e Ger Duijzings nga Universiteti i Regensburgut në Gjermani nuk sheh vetëm lëvizje makinash, transformime arkitekturore e urbanistike, por qëmton natyrën njerëzore, kapërcimet e sistemeve politike, dhe jo vetëm. Pjesë e studimit të tij në këtë temë është bërë edhe Prishtina, ku të enjten ka mbajtur edhe një ligjëratë. Ka paralajmëruar veprën e tij të radhës.
Duijzings kap periudhën postsocialiste dhe ligjërata e tij “Nëse makinat mund të ecnin: rrugët postsocialiste mes qarkullimit dhe miqësisë”, sjell këndvështrim të gjerë, përderisa vëllimi i ri i tij është shpalosje e studimeve për rrugët e qyteteve pas rënies së socializmit. Pos Prishtinës ai ndalet edhe te rrugët e Tiranës. Të dy kryeqytetet zënë vend në kapitujt e “If cars could walk: post-socialist streets in transformation”. Interes i Duijzings është transformimi i hapësirës publike dhe ndikimi i saj te njerëzit dhe sjelljet e tyre. Bashkë me Rita Gagicën do të trajtojnë evoluimin e rrugëve të kryeqytetit në librin që pritet të botohet këtë korrik.
Profesorë e studentë janë mbledhur në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës dhe prej antropologut gjerman kanë pasur mundësinë të dëgjojnë teori që rrallë zbërthehen dhe fakte interesante për atë që profesori e ka quajtur “jeta e rrugës”. Ka treguar se ligjërata është bazuar në një punëtori të vitit 2016 në Rumani nën titullin “The post-socialist street: rising car mobility in comparative”. Atë të librit e ka vlerësuar si titull vizionar dhe të bazuar në argumente.
“Normalisht se makinat nuk mund të ecin, por fraza në një formë bëhet sakrificë e pasivizmit. Njerëzit i përdorin ato me të madhe dhe ironia e kësaj është dëmi që i bëjnë qytetit. Çfarë makinat kanë bërë për qytetin, shembulli kryesor janë imazhet që ilustrojnë atë që do të them. Një nga interesat e mia ka qenë trafiku pas të cilit jam dhënë gjithmonë”, ka thënë Duijzings, duke njoftuar të pranishmit se praktika e tij përfshin studime për hapësira publike, transformimin e rrugëve gjatë postsocializmit e çfarëdo lloj studimi rreth tyre. Rrugën e ka trajtuar gjerësisht e deri në thelb. Ka ilustruar me fotografi rrugët e Bukureshtit të vitit 1991, kur njerëzit lirisht ecnin në to duke i krahasuar me mbingarkimin e sotëm, për të cilat në vitin 2013 ishin organizuar protesta masive nga çiklistët në kryeqytetin rumun. Duijzings ka vazhduar leksionet për aspektet antropologjike deri në atë pikë sa për të shpjeguar se “shoferët duhet të kenë kontakt me sy me kalimtarët, në mënyrë që të kuptojnë nëse është e sigurt se a mund të kalojnë rrugën apo jo”. Derisa ka folur për sjelljet në rrugë, ka trajtuar edhe pasojat si vdekjet. Me shembull konkret ka përmendur magjistralen Tiranë-Shkodër “me shumë lule dhe lapidare për njerëzit që janë vrarë aty”.
Në libër, ashtu edhe në ligjëratë ka folur për rrethanat, shprehitë dhe ndryshimet që e kanë bërë jetën më kontradiktore. Duijzings ka vlerësuar se postsocializmi nuk është zbërthyer kurrë mjaftueshëm dhe për ndryshimet që janë bërë te rrugët.
“Ne i kemi eksploruar rrugët postsocialiste dhe shkencën e automobilitetit, por jo vetëm atë. Ato kanë ndryshuar në mënyrë radikale për shkak të zhvillimit joparalel të automobilitetit privat. Transporti publik nuk është i bazuar në përdorimin e elektricitetit si burim parësor dhe këto qytete janë dendur nga kultura e të pasurit veturë private. Ka qenë proces gradual gjatë shekullit XX kur goditja nga veturat u vu në më pah gjatë viteve ‘90 dhe 2000”, ka thënë profesori i antropologjisë.
Këtë evoluim të veturave e ka ilustruar edhe me Shqipërinë.
“Pas socializmit, koncepti i veturave reflektonte një frymë të re: në privatësi, përfitim dhe fleksibilitet. Kështu si shembull ekstrem e kemi Shqipërinë, kur nuk kishte makina private deri në vitin 1991. Numri i tyre shënonte 0 atë vit, ndërsa në vitin 2007 në 300 mijë”, ka thënë ai.
Ndërsa në rastin e Prishtinës ka përfshirë periudhën e pasluftës, ku përshkruan sjelljet dhe konfliktet në rrugë.
“Mund të themi se rrugët në Prishtinë janë integruar. Hapësirat inkurajojnë shumëfishimin e formave të përbashkëta të elaborimit të sjelljeve dhe aktivitetit të njerëzve në publik, gjë që ka qenë gati e pamundur më parë. Prishtina është qytet shumë më ndryshe nga të tjerët, të duhet të navigosh, të vendosësh pikat e kontrollit, me shumë vetura dhe trafik të ngarkuar. Në anën tjetër, rrugët e saj janë çliruar, janë gjetur zgjidhje edhe në këtë drejtim”, ka thënë Duijzings. Profesori i antropologjisë sociale ka në fokus Evropën Juglindore dhe atë Lindore.
Hulumtimet e tij përfshijnë edhe ato mbi konfliktet në ish-Jugosllavi. Së fundi trajton transformimet urbane në qytetet postsocialiste. Ka botuar një sërë vëllimesh si “Fshatrat globale: transformimet rurale dhe urbane në Bullgarinë bashkëkohore”, “Urbanizmi i angazhuar: Qytetet dhe metodologjitë”, “Puna gjatë natës: organizimi i punës përgjatë regjimeve politike dhe ekonomike” dhe tashmë në përgatitje të “Nëse makinat mund të ecin: Rrugët postsocialiste në transformim”.
“Libri shpalos studimet për mbushjen e rrugëve në kontekstin e postsocializmit dhe të tërheq vëmendjen në rrugët e qyteteve të postsocializmit. Mendoj se një gjë është e qartë, kur flasim për kushtet e palëkundshme, rrethanat, shprehitë, ndryshimet që kanë bërë jetën kontradiktore”, ka treguar bashkautori i librit, ku përfshihen edhe Rusia, Gjeorgjia, Ukraina, Rumania, Polonia, Japonia e Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në ligjëratë ka qenë e pranishme edhe profesoresha e sociologjisë, Vjollca Krasniqi, e cila e ka vlerësuar studimin e Duijzings.
“Profesori ka një biografi të jashtëzakonshme të punimeve të ndryshme. Tashmë është duke punuar në vëllimin ‘Nëse makinat mund të ecin’ që është e përshtatshme për Kosovën. Jemi shumë të lumtur që ligjërata bazohet në këtë vëllim, kështu që ne po familjarizohemi me tekstin, ende pa e arritur ai publikun e gjerë”, ka thënë ajo.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.