Gara e fotografisë së ushqimit tradicional shqiptar shpërblen imazhet më të mira të ushqimeve. Nëpërmjet organizimit të “Wikimedianëve të Gjuhës Shqipe”, fotografitë do të shërbejnë për promovimin e kulturës shqiptare të gatimit në botë. “Depoja digjitale” e grupit është shfrytëzuar për ilustrimin e teksteve të tyre që promovojnë kulturën shqiptare me fotografi. Të këtij soji kishin organizuar për peizazhet e natyrës dhe monumentet historike e në rend janë ato të ushqimeve, ku prioritet është shpërndarja sa më e madhe e tyre.
Fotografitë shpesh shëtisin atraksionet e natyrës e të kulturës shqiptare në botë. Kur këto imazhe kanë depërtuar përtej kufijve, manifestim i fuqisë së fotografisë shpesh kanë qenë artikujt në mediat prestigjioze në botë. Dëshmi e fundit ka qenë ai i “The Guardian”, ku “peizazhet spektakolare” të Shqipërisë ilustrohen me fotografi e zënë hapësirë të veçantë krahas përshkrimit të tyre. Në përgjithësi, fotografia është përjetësim i momentit dhe shpesh zgjon nostalgjinë nëpërmjet imazheve permanente që projektojnë. Në kohët e sotme vjen edhe si fakt i padiskutueshëm e element i domosdoshëm i informacionit.
Fotografi të formateve të ndryshme, por që pikë të përbashkët kanë kulinarinë shqiptare, po grumbullohen në adresë të grupit “Wikimedianët e Gjuhës Shqipe”. Plotësimi i informacionit në tekstet që ata përgatisin për kulturën shqiptare, në këtë rast të ushqimit tradicional, është arsyeja e nismës si dobi e dyanshme. “‘Wikimedia’ është platformë multimediale, simotër e ‘Wikipedias’. Aty ne kemi shkruar artikuj për ushqimin tradicional shqiptar dhe tash po mundohemi të sigurojmë fotografitë përkatëse. Ne gjithmonë promovojmë kohë pas kohe tema të ndryshme, për shembull monumentet kulturore, qytetet shqiptare dhe trashëgiminë në përgjithësi, me fokus që kjo përmbajtje të shpaloset në projektet e ‘Wikimedias’”, ka treguar Arianit Dobroshi, organizator i garës.
Sipas Dobroshit, fotografitë do të mund të përdoren dhe të shpërndahen nga të gjithë me kusht që të citohen autori dhe licenca e fotografisë, me qëllim të depërtimit të kulturës shqiptare. Konsideron se ato i kontribuojnë gjithashtu agroturizmit në Kosovë e Shqipëri. “Mendojmë se ushqimi është një formë e turizmit, e kemi parë që praktikohet me anë të agroturizmit. Ushqimi është pjesë e turizmit, shumë njerëz vijmë prej jashtë për këtë arsye. Mendojmë që përmes kësaj do të mundemi t’i pasurojmë këto resurse kulturore në guidat turistike që mund të përdoren për promovim të turizmit tonë në botë”, është shprehur Dobroshi më tej, i cili ka njoftuar se deri më tash kanë pranuar 69 fotografi.
Fotografitë në garë janë të qasshme për publikun në ueb-faqen e tyre dhe kjo vjen si transparencë me publikun. Fotografi të ushqimeve tradicionale nga më të llojllojshme janë ngarkuar aty. Janë të formateve të ndryshme e me shumë ngjyra, fotografi të shkrepura gjatë përgatitjes e të servuara në mënyrë unike, siç është i tillë edhe vetë ushqimi tradicional në vend.
Tre fitues për fotografitë më të mira do të shpërblehen në kuadër të garës që është hapur më 13 shkurt dhe zgjat deri më 17 mars. Pos një shume në para do të shpërblehen edhe me nga një certifikatë digjitale. Juria vlerësuese nuk është përzgjedhur ende, por Arianit Dobroshi ka treguar se ata janë fotografë me përvojë në komunitetin e “Grupi i përdoruesve - Wikimedianët e Gjuhës Shqipe”. “Mund të jenë shqiptarë e të huaj, por të cilët kanë kontribuuar në promovimin e kulturës shqiptare. Nuk e kemi përcaktuar ende jurinë, por do t’i publikojmë anëtarët diku sa të afrohet mbyllja e garës”, ka treguar ai, derisa ka thënë se shpesh organizojnë ngjarje të tilla, si pa apo me karakter garues.
Gara e njëjtë që filtronte fotografinë e ushqimit tradicional shqiptar ishte mbajtur edhe vitin e kaluar. Ndërkohë ishin organizuar edhe të tjera si ajo që ishte quajtur “Photo Walk” që synonte mbulueshmëri më të madhe multimediale nga zonat rurale. “Ne i organizojmë këto gara kur shohim se ka zbrazëti të këtyre fotografive në fusha të caktuara, në mënyrë që të sigurojmë mbulueshmëri të mjaftueshme. Për shembull, kemi pasur garë në fotografi të monumenteve kulturore e të natyrës për disa vjet me radhë derisa e kemi mbërritur cakun”, ka thënë Arianit Dobroshi.
Kriteret e përzgjedhjes së fotografisë janë përpunimi i fotografisë, cilësia teknike, t’i përmbahen temës së garës dhe të jenë të shkrepura nga personi që garon me to. Secili mund të garojë me deri 10 fotografi të cilësisë së mirë dhe duhet t’u bashkëngjitet përshkrimi adekuat, siç është bërë e ditur nga “Grupi i përdoruesve – Wikimedianët e Gjuhës Shqipe”.
Grupi që organizon këtë garë të fotografisë është i fokusuar në rritjen e cilësisë dhe sasisë së përmbajtjes dhe të materialit multimedial të platformës “Wikipedia” në gjuhën shqipe. Këtë synon ta bëjë nëpërmjet programeve edukative, punëtorive e redaktimit, konkurseve të tilla si gara e fotografisë e partneriteteve në nivel rajonal në trevat ku flitet gjuha shqipe.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.