Artistët e viteve ‘80 që parashikuan të ardhmen

Ndikimi psikologjik i masmedias ka intriguar komentuesit dhe artistët që nga gjysma e dytë e shekullit XX. Masmedia mund të përcaktojë çdo mjet komunikimi që arrin një audiencë të gjerë. Me kalimin e viteve, ajo ka ardhur duke përfshirë transmetimin e radios, televizionit, gazetave, bërjen e filmave, reklamat dhe, së fundmi, internetin.
Teksa çdo ditë e më shumë shohim lansime kanalesh televizive dhe interneti vazhdon të zgjerojë shtrirjen e tij, kjo shpejtësi nuk tregon asnjë shenjë ngadalësimi. “Shumë nga bashkëmoshatarët e mi kanë tendencë të fajësojnë internetin dhe të thonë se është origjina e të gjitha problemeve tona”, thotë Sharon Coen, psikologe e medias. “Unë vazhdoj t’u them atyre që më shumë se 2000 vjet më parë Sokrati e urrente shkrimin. Pse? Sepse ai thoshte se do të bëheshim budallenj dhe nuk do të mund të mbanin mend asgjë”
Ndikimi psikologjik i masmedias ka intriguar komentuesit dhe artistët që nga gjysma e dytë e shekullit XX. Masmedia mund të përcaktojë çdo mjet komunikimi që arrin një audiencë të gjerë. Me kalimin e viteve, ajo ka ardhur duke përfshirë transmetimin e radios, televizionit, gazetave, bërjen e filmave, reklamat dhe, së fundmi, internetin.
Disa thonë se ky bum i stimujve vizualë dhe audio, ka çuar në mbingarkesë njohëse: ideja se ne jemi duke u zhytur nga një sasi e madhe informacioni që truri ynë kurrë nuk mund ose nuk duhej ta mbante. Në fundin më ekstrem të kësaj ideje është frika se funksionimi kognitiv i njeriut po ndikohet në mënyrë të pandryshueshme nga ky furnizim i vazhdueshëm i imazheve dhe informacionit, dhe se kjo mbingarkesë po mpin aftësitë e komunikimit dhe po ndikon në mënyrën se si truri ruan informacionin. Për artistët që eksplorojnë këtë zonë, shpesh ekziston një magjepsje e njëkohshme me teknologjinë dhe frikën se ku po e çon mendjen njerëzore.
Në vitet ‘80, e prekur nga rryma e imazheve, zërit dhe informacionit që vërshonin nëpër kanale të panumërta televizive, artistja amerikane Gretchen Bender, zhvilloi një seri instalacionesh “teatri elektronik”. Këto vepra kombinuan tingullin, videon, skulpturën dhe performancën, duke kritikuar ndikimin që përmbajtja e korporatave dhe mediave kishin në vetëdijen kolektive të asaj kohe. Në këto vepra, tufat e televizorëve tregojnë një breshëri të përzier imazhesh që tërheqin vëmendjen. Logot e animuara, pamjet e Hollywoodit dhe klipet që tregojnë pajisjet ushtarake të Luftës së Ftohtë shfaqen para shikuesit, duke i mbytur shqisat e tyre.
Artistja para kohës
Tani, galeria ”Sprüth Magers” në Londër po prezanton një ekspozitë personale të krijimtarisë së Bender, teksa eksploron këtë artiste pioniere si një pararendëse e artistëve të shekullit XXI që bënë krijime për dhe rreth epokës së post-internetit. E lindur në Delaware në vitin 1951, Bender studioi për art në Universitetin e Karolinës së Veriut në Chapel Hill në vitet ‘70. Ajo u rebelua kundër formave tradicionale të të bërit art që përfshiheshin në programin mësimor të asaj kohe, dhe në vend të kësaj u kthye në krijimin e pikturave sillkscreen. Ajo e pa këtë si mjet të hershëm të komunikimit masiv brenda praktikës së saj. Ishte një proces që mundësoi krijimin e kopjeve të shpejta dhe pothuajse identike të veprave të artit.
Bender ishte përpara kohës së saj. Ose, sipas fjalëve të ish-partnerit të saj, krijuesit Robert Longo, ajo ishte në kohën e duhur, ndërsa gjithë të tjerët ishin prapa në kohë.
“Gretchenin e takova në vitin 1981, kur bëra një shfaqje në Washington”, ka thënë ai për BBC Culture. “Unë i thashë: ‘Ejani në New York’, dhe ajo erdhi!” Longo kombinon filmat me muzikën dhe artin. Në vitet ‘80, ai ishte pjesë e “Pictures Generation”, një grup artistësh të njohur botërisht, përfshirë Cindy Sherman, Barbara Kruger dhe Richard Prince, të cilët ende eksplorojnë ndikimin e imazheve në të kuptuarit tonë të botës. Ishte një lëvizje ku Bender, me interesin e saj për komunikimin masiv, u bë shpejt pjesë e saj.
“Gretchen erdhi të jetonte me mua teksa po ndodhte e gjithë puna në ‘Pictures Generation’, vazhdon Longo. “Cindy jetonte aty pranë. Ne shkonim në shtëpinë e [artistit] David Salles për festa. Gretchen ishte disi e pushtuar nga e gjithë kjo dhe ajo donte të bënte art. Ajo ishte e rrethuar nga të gjithë ne që këtë e bënim të orientuar nga puna në media. Një nga momentet më të rëndësishme ishte kur bleva një televizor me ngjyra dhe VCR”.
Përpjekjet fillestare të Benderit në teknologji dhe montazh filmi ishin eksperimentale. Ajo punoi së bashku me Longon në një videoklip të hershëm për një grup nga New Yorku. Veprën e tyre të parë ai e përshkruan si “shumë të tmerrshme”, por së shpejti ata patën kërkesa nga grupe të tjera, më të njohura si “REM” dhe “New Order”. Përvoja bëri që Bender të magjepsej nga montazhi.
“Morëm disa pajisje shtëpiake dhe Gretchen filloi të bënte disa redaktime”, thotë Longo. “Po luanim në shtëpi dhe unë thashë: ‘Le të çmendemi’. Filluam ta pritnim dhe të vendosnim shpejt shumë imazhe në të. Gretchen e mori atë si diçka shumë natyrale. Në të njëjtën kohë, po shikonim shumë filma dhe një mal me gjëra në VCR”.
Artistja amerikane, Gretchen Bender, e fotografuar në vitin 1986, ishte pjesë e lëvizjes “Pictures Generation” (Foto: Sprüth Magers/ Hans Neleman)
Autostrada elektronike
Puna e Benderit mund të shihet si përparim i natyrshëm i artistëve novatorë siç është artisti amerikano-korean Nam June Paik, një adoptues i hershëm i video-artit në vitet ‘60. Ai shtrembëroi në mënyrë elektronike tingujt dhe imazhet dhe bashkoi pamjet që zakonisht nuk dukeshin se nuk shkonin bashkë: nga reklamat te klipet e lajmeve dhe konferencat politike. Ai shpiku termin “autostradë elektronike” në vitet ‘70, duke parashikuar rrjetin virtual të komunikimit dhe mundësitë e informacionit që përfundimisht do të siguroheshin nga interneti.
Në vitet ’70, Dara Birnbaum po eksperimentonte edhe me video-art. Praktika e saj feministe arriti të prekte ndikimin që kishte televizioni në jetën e brendshme të SHBA-së. Në një nga veprat e saj më të njohura, “Teknologjia/Transformimi: Wonder Woman” (1978-79), ajo përdori pamjet e superheroinës së famshme të luajtur nga Lynda Carter. Në vepër, Carter shfaqet në një rrotullim të përjetshëm, teksa Birnbaum pret dhe përsërit transformimin e saj të famshëm nga Diana Prince në Wonder Woman dhe anasjelltas. Vepra komenton jo vetëm rolin social të gruas si sekretare apo superheroinë me “asgjë në mes”, por edhe për orët e televizionit që shiheshin vazhdimisht në atë kohë. Në vitet ‘70, familjet në Amerikën e Veriut shikonin televizion mesatarisht gjashtë orë në ditë.
Ndër seritë e instalacioneve të “teatrit elektronik” të Benderit është “Wild Dead”, l, ll, lll (Versioni Danceteria), 1984 (Foto: Gretchen Bender Estate)
“Kulla e moskuptimit”
Vitet ‘80 ishin vitet e ndryshimeve radikale, si në aspektin teknologjik ashtu edhe politik në ShBA. Përqendrimi i presidentit të SHBA-së, Ronald Reagan në tregjet e lira dhe në kapitalizmin e pakufizuar çoi në rritjen e fokusit karshi komercialitetit, idesë se blerja dhe shitja janë aspektet më të rëndësishme të jetës së Amerikës së Veriut. Bender, së bashku me anëtarët e tjerë të “Pictures Generation”, iu përgjigjën të dy këtyre gjërave.
“Një nga ndryshimet mahnitëse që ndodhi në vitet ‘80 ishte përdorimi masiv i telekomandës”, ka thënë Longo. “Ishte pothuajse si shpikja e një arme. Ne do të uleshim atje dhe do të ndërronim kanalet pa ndalur. Nuk duhej të ngriheshe që ta ndërroje kanalin. Në fillim të viteve ‘80 pati edhe lulëzim të videografikëve, dhe logove rrotulluese. Gretchen po katalogonte dhe regjistronte gjithçka në televizor. Ne e bëmë këtë video të ‘New Order’ me rreth 700 modifikime në të. Ajo po i shtypte makinat, si një shkencëtare e çmendur. Në vitet ’80, Ronald Reagan u zgjodh president. Ai ishte si një Donald Trump i parë, dhe ne të gjithë po reagonim kundër tij”.
Në 40 vjetët prej kur Bender krijoi teatrot e saj elektronike, artistë të shumtë kanë nisur të punojnë në këtë mënyrë. Pamja e televizorëve të grumbulluar është e njohur për vizitorët e rregullt të galerisë dhe shumë instalacione ende përdorin teknologjinë retro. Babeli totemik i artistit brazilian Cildo Meireles (2001) aktualisht ndodhet në koleksionin e përhershëm publik të “Tate Modern”. Kulla e Babelit me qindra radio analoge të akorduara të gjitha në stacione të ndryshme, jep një mesazh paradoksalisht të qartë për të metat e komunikimit masiv: kur të gjithë flasin, askush nuk mund të dëgjohet.
Kur vizitova Babelin, tendosjet e zbehta të “Survivor” të “Destiny's Child” mund të kapeshin mbi zhurmën përreth. Çdo përvojë e punës është e ndryshme, pasi radiot pompojnë përmes valëve të drejtpërdrejta. Nga Meireles instalacioni është cilësuar si “kulla e moskuptimit”. Emri i veprës është frymëzuar nga përralla biblike e Kullës së Babelit, e cila u ndërtua për të qenë aq e lartë sa për të arritur në parajsë. I zemëruar nga kjo strukturë, Zoti i dënoi ndërtuesit. Ai bëri që secili prej tyre të fliste gjuhë të ndryshme, duke u zhytur në një botë të ndarë e cila bëri që kështu të niste konflikti global. Vepra është një paralajmërim për dobësitë e medias, si dhe një festë e zgjuarsisë së saj. Shikuesit nuk mund të mos mrekullohen me bukurinë dhe krijimtarinë e disa prej pajisjeve që gjenden nëpër rafte, nga radiot me valvula të viteve ‘20 deri te transmetuesit elektronikë të dekadave të fundit.
Në shekullin XXI, shumë artistë e kanë zhvendosur vëmendjen e tyre nga televizioni dhe radioja te mbingarkesa e informacionit që është e pranishme në internet. “Filluam me pesë kanale, pastaj 20, pastaj 100”, më thotë Longo. "Kur të gjithë morën kabllo, ishte si ‘Ua, shiko këtë!’ Ishte si të merrje acid. Ne nuk kishim internet, por mendoj se ishte fillimi i asaj që po ndodh tani”.
Joey Holder është një artiste britanike multimediale, e cila punon në bashkëpunim me ekspertë fushash të ndryshme: nga biologët e detit deri te psikologët e sjelljeve njerëzore. Mjediset imagjinare që ajo krijon, shpesh flasin për morinë e imazheve dhe informacioneve që në internet qëndrojnë në mënyrë të çrregullt e krah për krah njëra-tjetrës. Në punën e saj shfaqen lidhje të pazakonta dhe mundësi të pafundme.
“Me ngopjen e informacionit dhe imazheve në internet, më duket sikur nuk ka mbetur asgjë për të ‘bërë’”, thotë ajo. “Ndihem e lodhur dhe e rraskapitur nga rrafshësia e mundësive të pafundme që na paraqiten në ekran. Është sikur gjithçka është e mundur, e në të njëjtën kohë gjithçka është njësoj. E trajtoj këtë brenda veprës sime, duke menduar për kufijtë e informacionit dhe përpunimit digjital, kapjen e korporatës, dhe si ta kapërcejmë atë”.
Holder është gjithashtu e shqetësuar nga shpejtësia me të cilën është zhvilluar komunikimi masiv, duke u rritur me ritëm të paparë që mund të duket si diçka e vështirë për t’u mbajtur. “Që nga koha kur puna e Bender u bë e njohur në vitet ‘80, masmedia ka vazhduar të përshpejtohet, duke depërtuar çdo pjesë të jetës sonë bashkëkohore dhe duke krijuar efekt masiv në mënyrën se si ne shohim, sillemi, mendojmë dhe veprojmë ndaj njerëzve të tjerë”, ka thënë ajo. “Unë shqetësohem për këtë vazhdimisht”.
Në instalacionin e saj më 1989, “TV Text Image”, televizorë të shumtë tregojnë një breshëri imazhesh që tërheqin vëmendjen (Foto: Gretchen Bender Estate)
Sokrati dhe urrejtja ndaj shkrimit
Efektet e masmedias dhe komunikimit janë një fushë që është studiuar gjerësisht nga ekspertët e sjelljes së njerëzve. Sharon Coen është psikologe e medias dhe pedagoge e lartë në Universitetin e Salfordit. “Unë mendoj se arti, paradoksalisht, ka një shans më të mirë se unë për të përcjellë mesazhin”, ka thënë ajo për “BBC Culture”. “Nëse e them, do të tingëllojë si dënim. Para së gjithash, artistët mund të kenë një qasje jo tradicionale, joshkencore, e cila mund të na ndihmojë t'i kuptojmë gjërat në mënyra të ndryshme. Një vepër arti godet në zemër”.
Teksa Coen njeh efektet negative që mund të kenë masmediat, ajo ndihet pozitive për aftësinë njerëzore për të njohur rreziqet. “Ka shumë qëndrime alarmante, ndjenja të ‘Oh im Zot, ne jemi të dehur’”, thotë ajo. ‘Në fakt, sa më shumë që flas me njerëzit dhe vëzhgoj rrethinat e mia, e kuptoj se jemi shumë strategjikë. Me 'doom scrolling', disa njerëz zhyten dhe kalojnë orë e orë të tëra duke parë gjëra të tmerrshme në internet. Por si e mësuam për ’doom scrolling’? Sepse njerëzit e kuptuan që po e bënin atë dhe thanë ‘Oh, kjo nuk është mirë’. Pra, megjithëse është problem, nuk mendoj se duhet ta nënvlerësojmë veten”.
Coen e gjurmon frikën e rënies së njohjes kolektive, qysh shumë kohë përpara se të vinte interneti dhe madje edhe përpara mbingarkesës vizuale të televizionit. “Shumë nga bashkëmoshatarët e mi kanë tendencë të fajësojnë internetin dhe të thonë se është origjina e të gjitha problemeve tona”, thotë ajo. “Unë vazhdoj t'u them atyre, më shumë se 2000 vjet më parë Sokrati e urrente shkrimin. Pse? Sepse ai thoshte se do të bëheshim budallenj dhe nuk do të mund të mbanin mend asgjë. Ai mendonte se funksionimi ynë njohës do të ndryshonte. Por me shkrim kursejmë hapësirën mendore që do ta përdornim në përpjekjen për të kujtuar gjithçka, dhe mund ta përdorim për gjëra të tjera. Është gjithmonë një ekuilibër”.
Shumë prej artistëve të sotëm e kanë njërin sy tek emrat që kanë lënë gjurmë përpara tyre ndërsa tjetrin te zhvillimet e ardhshme që duken në horizont. “Unë e urrej idenë e metaversit”, thotë Holder, “por duket sikur kjo është mënyra me të cilën mega-korpusi kibernetik dëshiron të na marrë, duke krijuar një shtresë virtuale të realitetit, një simulim të jetës. Po bëhen pretendime madhështore se do të ndihmojë në përmirësimin e shëndetit mendor, uljen e shkallës së krimit dhe shpëtimin e planetit, por unë jam skeptike dhe mendoj se do të jetë e vërtetë edhe e kundërta. Mendoj se duhet të heqim dorë nga ideja për të krijuar një kopje digjitale të botës, jeta është shumë komplekse, nuk mund të simulohet”.
Vetë Gretchen Bender kishte një marrëdhënie të përzier me teknologjinë dhe median. Ajo ishte e magjepsur me procesin e redaktimit dhe shtypjes së makinerive me të cilat punonte. Në të njëjtën kohë, ajo i kuptoi rreziqet e përfshirjes së tepërt në mediat që i kishte në dispozicion. Longo thotë se ai dhe kolegët e tij artistë ishin të gjithë të vetëdijshëm për anët negative: “Të gjithë ishim shumë kritikë ndaj mediave. E gjithë kjo ka të bëjë me shpejtësinë dhe politikën. Shpejtësia e avancuar është një nga gjërat më të rëndësishme që ka ndodhur vitet e fundit”.
Teksa çdo ditë e më shumë shohim lansime kanalesh televizive dhe interneti vazhdon të zgjerojë shtrirjen e tij, kjo shpejtësi nuk tregon asnjë shenjë ngadalësimi. Megjithatë, pavarësisht nga kjo rritje e shpejtësisë dhe ndryshimit në format e sakta të komunikimit të disponueshme që nga vitet 1980, ka diçka tepër aktuale në punën e Bender. Përvoja e qëndrimit përpara një prej teatrove të saj elektronike, e pushtuar nga një breshëri imazhesh lëvizëse, nuk është shumë e largët nga ndjesia që mund të ketë kur kalon nëpër billbordet e Londrës Qendrore ose kur përpiqesh të mbyllësh reklamat e panumërta që ta shpërqendrojnë leximin falas të një artikulli. Mjetet e komunikimit vazhdojnë të ndryshojnë, por, pa dyshim, ndikimi mbetet i njëjtë.
Marrë nga BBC. Përktheu: Mirjetë Sadiku
Ekspozita e Gretchen Bender: Image World eksploron punën e artistes së ndjerë (Foto: Sprüth Magers London/ Ben Westoby)
Artisti amerikano-korean, Nam June Paik, i paraqitur me video-skulpturën e tij të vitit 1989 “Fin de Siecle II”, ishte pionier i video-artit (Foto: Mario Ruiz/ Getty)
Vepra e artit totemik “Babel”, 2001, nga artistja braziliane Cildo Meireles është një kullë me qindra radio analoge, të gjitha të sintonizuara në stacione të ndryshme (Foto: Cildo Meireles/ Tate)
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.