Kulturë

“Pikë uji” nis realizimin si projekt që zhvesh realitetin e korrupsionit

Ngjarje të papritura që lidhen me një vepër penale synojnë ta mbajnë shikuesin para ekranit. Në rol kryesor me Gresa Pallaskën e në ata dytësorë me Arben Bajraktaraj e Astrit Kabashin, projekti kinematografik i Robert Budinës, “Pikë uji” shpërfaq historinë e një nëne, zyrtare e korruptuar, e cila më pas lufton për të mbrojtur të birin adoleshent për akuzën e rëndë që i është ngritur – atë për përdhunim
 

Aferat korruptive dhe ndikimi i tyre më vonë janë në qendër të filmit “Pikë Uji” me regjisor Robert Budinën. Ngjarje të papritura që lidhen me një vepër penale synojnë ta mbajnë shikuesin para ekranit. Në rol kryesor me Gresa Pallaskën e në ata dytësorë me Arben Bajraktaraj e Astrit Kabashin, filmi shpërfaq historinë e një nëne, zyrtare e korruptuar, e cila më pas lufton për të mbrojtur të birin adoleshent për akuzën e rëndë që i është ngritur – atë për përdhunim. Filmi pritet të finalizohet brenda këtij viti e për premierë ka target festivalet prestigjioze.

Ngjarja e filmit “Pikë uji” shtrohet në Shqipëri, atje ku Aida (Gresa Pallaska) është në mbyllje të negociatave për projektin më të madh në karrierën e saj. Si drejtoreshë e urbanistikës në bashkinë e qytezës ideon një resort turistik buzë liqenit në Pogradec, qytet ku tashmë janë vendosur shesh-xhirimet dhe planifikohet të zgjasin rreth 30 ditë. Bashkë me kryebashkiakun e qytetit, Elvisin (Adem Karaga) kanë zbatuar skemën e njëjtë korruptive prej vitesh që projekte të ngjashme t’i shfrytëzojnë për të ardhura personale. Kësisoj kanë ndërtuar pasurinë dhe imunitetin e tyre shoqëror.