Institucionet vendore synojnë që më në fund të konkretizojnë nismat për ngritjen e një memoriali për fëmijët e vrarë dhe të zhdukur nga forcat serbe në Kosovë. Të enjten ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, dhe rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi, kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi për hartimin e dokumentit narrativ si hap i parë drejt ngritjes së memorialit.
Këto nuk janë shenjat e para për ndërtimin e memorialit për fëmijët e vrarë dhe të zhdukur pasi ideja për projektin është e kahershme. Gati katër vjet më parë kryeministrit të atëhershëm, Ramush Haradinaj, i ishte dorëzuar projekti bashkë me një maket për të cilin nuk ishte folur shumë.
E Qeveria e tanishme për këtë çështje kishte themeluar komision qeveritar për “Memorialin e fëmijët e vrarë gjatë luftës 1998/99 në Kosovë” në qershorin e kaluar.
Tash nëpërmjet memorandumit parashihet bashkëpunimi për konsultimin dhe hartimin e dokumentit narrativ mbi memorializimin e fëmijëve të vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës 1998-1999 në Kosovë.
Në konferencën e përbashkët të së enjtes është bërë e ditur se Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” do të mbledhë rrëfime nga prindërit dhe familjarë tjerë të fëmijëve të vrarë.
Ministri Çeku është zotuar se do të dedikojnë të gjitha burimet e nevojshme për zbatimin e projektit në standarde të larta. Ka paralajmëruar se vendi do të bëhet me memorial të fëmijëve brenda dy vjetësh. Sipas tij, parashihet që konsultimet dhe ndërtimi i narrativës të fillojë gjatë këtij muaji dhe të përfundojë në gusht. Konkursi për projektim, sipas tij, do të shpallet në fillim të shtatorit. “Brenda dy vjetëve shpresojmë t’ju dhurojmë diçka të dinjitetshme publikut dhe familjarëve të fëmijëve viktima”, ka thënë ministri Çeku.
Trashëgimia e luftës, sipas tij, ka mjaft histori të rëndë e populli i Kosovës vazhdon të vuajë nga e kaluara dhe askush më shumë se ata që humbën fëmijët e tyre “nuk di të tregojë e të rrëfejë këto krime dhe këtë tmerr që e ka shkaktuar Serbia në Republikën e Kosovës”.
“Për këtë projekt bashkërisht zotohemi se do të dedikojmë të gjitha burimet e nevojshme njerëzore, financiare për zbatimin e plotë në kohë dhe në standardet më të larta”, ka thënë ministri Çeku. Sipas asaj që është thënë në konferencë, konkursi do të jetë ndërkombëtar me qëllim të projektimit të një memoriali sa më të denjë dhe që kontribuon në kujtesën kolektive.
Sipas ministrit Çeku, do të bëhet përpjekje që në projekt të përfshihen edhe fëmijët e mbijetuar të krimeve të Serbisë në Kosovë.
Rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi, ka thënë se institucioni ka gatishmërinë dhe ekspertizën që të kontribuojnë në këtë aspekt në mënyrë që rezultati të jetë sa më dinjitoz dhe proporcional me qëllimin.
“Ndihem i nderuar që kemi mundësi që përmes kapacitetit profesional e ekspertizës që ne posedojmë të kontribuojmë në një ndërmarrje monumentale të një rëndësie të pamatshme siç është memoralizimi i fëmijëve të vrarë e të zhdukur gjatë luftës. Ndodhi të ndryshme nuk janë më mizore dhe më supreme në kuptim agresiv sesa vrasja e fëmijëve, një dhimbje apsolutisht supreme”, ka thënë rektori Qerimi, derisa është shprehur se më e pakta që mund të bëjnë është të gjejnë forma të shprehjes historike në mënyrë që të kujtohen përherë.
Më 1 qershor të vitit të kaluar, pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, ishte themeluar komisioni qeveritar enkas për këtë memorial, ku anëtarë ishin zgjedhur ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ministri i Mjedisit, Liburn Aliu, ai i Financave Hekuran Murati, në krye me kryeministrin Albin Kurti. Qysh atëkohë ishte paralajmëruar iniciativa e kësaj qeverie për memorialin.
Një tjetër projekt ishte thënë të realizohej gati katër vjet më parë nga kryeministri i asaj kohe, Ramush Haradinaj i cili ishte shprehur se “memoriali do ta përjetësojë dhimbjen dhe do t’i bëjë jehonë në botë të drejtës së Kosovës”.
Ishte Këshilli organizativ i familjeve të fëmijëve martirë të Kosovës që kishte “trokitur” në dyert e Qeverisë për të çuar përpara atë që ishte konceptuar si kompleksi memorial “Fëmijët martirë të Kosovës 1981-1999”. Nëpërmjet projektit të dizajnuar nga disenjatori Rrezeart Galica, synohej që shteti ta financonte kompleksin me rreth 500 mijë euro. Sipas iniciatorëve të udhëhequr nga Nusret Pllana, kompleksi duhej të zinte vend afër aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”. Galica me bashkëpunëtorë, në nëntor të vitit 2019, kishin vënë një poster 3 metra të gjerë dhe 4 metra të gjatë afër Aeroportit ku kishin bërë thirrje që të realizohej obelisku. Sipas projektit të tyre, obelisku do të ishte 30 metra i gjatë dhe 20 metra i gjerë. Në sipërfaqen prej një hektari, ku do të mbilleshin 1 mijë e 432 pemë dhe në secilën të ishte nga një emër fëmije. Kaq është edhe numri i fëmijëve që llogaritet të jenë vrarë në Kosovë nga forcat serbe.
Me rastin e nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit me Universitetin e Prishtinës, ministri Hajrulla Çeku ka ftuar në bashkëpunim qytetarët që duan të jenë pjesë e procesit dhe konsultimeve.
Të pakta janë konkretizimet e nismave për kujtimin e fëmijëve të vrarë e të zhdukur. Që nga maji i vitit 2019 në katin përdhes në bibliotekën e qytetit “Hivzi Sylejmani” në kryeqytet ruhen gjësende të fëmijëve të vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë. Janë pjesë e ekspozitës “Na ishte njëherë që kurrë mos qoftë” e realizuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë me kuratore Blera Hoçian.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.