Gjatë dekadave të fundit regjisorët belgë, Jean-Pierre dhe Luc Dardenne, kanë krijuar drama sociale të dhembshura e përtokë në lidhje me të shpronësuarit në Evropë. Gjatë rrugëtimit kanë rrëmbyer edhe çmime (përfshirë dy “Palma të Arta” në Cannes). Filmat e tyre janë rezultat i një numri të madh kërkimesh të thella rreth një teme të caktuar, së bashku me një periudhë të gjatë provash për interpretuesit e tyre, të cilët shpesh përfshijnë artistë joprofesionistë ose fillestarë. (Herë pas here ata punojnë edhe me ndonjë aktor me më shumë përvojë – siç bënë me Marion Cotillard në “Two Days, One Night” të vitit 2014, nominuar për “Oscar”). Pavarësisht ndjeshmërisë dhe seriozitetit të punës së tyre, ajo që i ka bërë Dardennët regjisorë kaq të suksesshëm ka qenë dinakëria në mënyrën se si inkuadrojnë elemente zhanresh të ndryshme në dramat e tyre. Çdo film i tyre mund të duket si triler, ku shpesh gjejmë personazhe që garojnë kundër kohës, hyjnë në vende që nuk duhet të hyjnë ose takojnë njerëz që nuk do të duhej. Shpesh kamerat e çrregullta të dorës lëvizin paralelisht me ngjarjet e furishme në ekran. Teksa je duke parë një film të Dardennëve, zemra garon, pastaj thyhet.
“Tori and Lokita”, filmi më i fundit i regjisorëve (dhe fitues i çmimit special të edicionit jubilar të 75-të të Festivalit të Cannes, vitin e kaluar), fillon në një mënyrë disi të pazakontë me një hapje magjepsëse të një emigranteje afrikane 17-vjeçare, Lokita (Joely Mbundu), teksa u përgjigjet ca pyetjeve. Ato nuk janë thjesht pyetje informative. Është e qartë që burokrati që i bën këto pyetje dëshiron ta zërë Lokitën në gënjeshtër. Ata pyesin për vëllain e saj 11-vjeçar, Torin (Pablo Schils), dhe atë se si u ribashkua me të në një jetimore. U kërkohet të identifikojë liqenin pranë të cilit ajo është rritur dhe emrin e një mësueseje. E qetë dhe e kujdesshme në fillim, Lokita lufton për ta ruajtur qetësinë. Në fund, ajo fillon të qajë, pa fuqi për të vazhduar tutje. Ndoshta ky është momenti kur ne kuptojmë se ajo në fakt është duke gënjyer.
Tori dhe Lokita në fakt nuk janë vëlla e motër. Ata nuk janë as nga i njëjti vend. (Njëri është nga Benini, tjetri nga Kameruni.) Por, ata kanë krijuar një lidhje tepër të fortë, qëkur u takuan gjatë kalimit për në Evropë dhe tani janë bërë të pandashëm. Ashtu si shumë protagonistë tjerë të Dardennëve, ata janë tepër të shkathët dhe pothuajse gjithmonë në lëvizje. Të dy punojnë në një restorant italian sa për të siguruar bukën e gojës, këndojnë këngë për klientët, pastaj merren me shpërndarjen e drogës në të gjithë qytetin, për shefin dhe pronarin shqiptar (Alban Ukaj, një nga yjet e kryeveprës së Dardennëve të vitit 2008, “Heshtja e Lornës”). Paratë që fitojnë shkojnë tek familja e Lokitas dhe te kontrabandistët që i sollën këtu. Por, ata kanë nevojë për nënshtetësi: Tori është pranuar si refugjat, por Lokita duhet ta vërtetojë lidhjen familjare me të, në mënyrë që të qëndrojë ligjërisht në Belgjikë.
Dardennëve nuk u pëlqen të inkuadrojnë shumë detaje kur bëhet fjalë për personazhet e tyre. Për të ndihmuar në shfaqjen e psikologjisë së këtyre njerëzve, ata shpesh mbështeten në performancë. Të dhënat e narrativës në këtë film duken edhe më të kuruara se zakonisht. Por, dy aktorët e rinj përcjellin, ndonjëherë vetëm nëpërmjet lëvizjes, jetën e brendshme dhe komplekse. Pavarësisht ndjenjave të përgjegjësisë, të cilat u ngjajnë aty të të rriturve, Tori është ende vetëm një fëmijë dhe ka optimizmin e natyrshëm të një fëmije. Ai mendon se mund t’ia dalë pas secilit telash, të kalojë çdo kufi, të zgjidhë çdo problem. Lokita, përkundrazi, tashmë është rrahur aq shumë sa sulmet e ankthit nga të cilat ajo vuan rregullisht (dhe merr ilaçe) duken më pak si një gjendje e lindur dhe më shumë një përgjigje ndaj realitetit që e rrethon. Vajza duket shumë e rraskapitur nga koha, edhe pse ajo, ashtu si Tori, duhet të vazhdojë të lëvizë.
Dy fëmijët janë të rrethuar nga mizoria, indiferenca dhe dyshimi. Policët dhe burokratët nuk u besojnë atyre. Ata janë praktikisht të padukshëm për hipsterët, rojat e klubeve të natës, pensionistët, dhe çiftet e klasës së mesme të cilëve u shesin drogën. Kontrabandistët që u detyrohen – gjoja një grup kishtar – në thelb janë artistë që i zhvatin. Ai që supozohet të jetë punëdhënësi i tyre nuk i sheh pothuajse kurrë, madje as edhe kur përfiton seksualisht nga Lokita. Ndoshta këto janë disa nga arsyet pse Tori dhe Lokita janë kaq të lidhur me njëri-tjetrin. Ndryshe nga kjo, bota e tyre duket e zbrazët nga njerëzimi dhe ngrohtësia. Kur Lokita e gjen veten të detyruar të hajë bukë pa Torin, ajo nxjerr telefonin me një fotografi të tij sa për t’i bërë shoqëri.
Kamera e Dardennëve duket më e përmbajtur se zakonisht. A është për shkak se stili i lëkundur pseudo-vérité që ishte shenja dalluese e tyre, e humbi famën vitet e fundit – kryesisht falë përdorimit të tepërt nëpër filmat aksion të Hollywoodit? Apo sepse duhet t’i shohim më qartë fytyrat e Torit dhe Lokitas, për të memorizuar butësinë midis tyre? Një butësi e tillë është e rrallë për këtë lloj regjisorësh, personazhet e të cilëve priren të kenë marrëdhënie më të buta.
Lidhja midis Torit dhe Lokitas na lejon të kemi pak shpresë, por kur gjërat nisin të dalin vërtet jashtë kontrollit, atëherë filmi bëhet i padurueshëm. Pasiguria dhe shqetësimi për personazhet natyrisht janë gjë e mirë, por këtu Tori dhe Lokita disi çalojnë. Duket sikur ngjarja është shkurtuar, duke dhënë një përfundim të papritur, i cili bënte të mendoje se Darennët donin të theksonin egërsinë e kësaj bote përmes formës dhe strukturës së filmit. Kjo mund të jetë e vërtetë, por duket si një rrugëdalje e lehtë. “Tori dhe Lokita” është një film i lindur nga tërbimi dhe frustrimi, dhe si i tillë është një film prekës. Por, është e drejtë të presim më shumë sesa vetëm tërbim nga artistët, sidomos nga ata që janë më të mëdhenjtë dhe më empatikët.
Marrë nga “Vulture”. Përktheu: Mirjetë Sadiku
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.