Kulturë

“Ekspozitë që nuk mbyllet kurrë!” pafundësisht në mbrojtje të grave

Gërshetat e lidhura me zinxhirë janë orientim në “Ekspozitën që nuk përfundon kurrë!” në hyrje të galerisë “Paper” 
 

Një fenomen që s’i shihet kund fundi vjen si kontrapunkt në koncept e në titull. “Ekspozita që nuk mbyllet kurrë!” kërkon të kundërtën. Fundin e vet, e bashkë me të edhe fundin e femicidit dhe dhunës ndaj grave. Denoncon raste dhe përjashton estetikën në art. Saranda Sadikaj e njohur si Ms. Indefinite e përcakton qartazi temën dhe ajo është realiteti  

Që në hyrje të galerisë “Paper” hedhur në dysheme janë zinxhirë të çeliktë e flokë të thurur gërshetë. Tregojnë rrugën nëpër dhomat e galerisë. Aty janë të vendosura instalacione të artistes Saranda Sadikaj e njohur si Ms. Indefinite. “Ekspozitë që nuk mbyllet kurrë!” është titulli që provokon i pari.   

Sadikaj është e njohur për aktivizimin e saj artistik, ku nëpërmjet video-performancave  avokon për të drejtat e gruas. Nëpërmjet artit si krijim ajo shpreh kritikë dhe ngre zërin kundër fenomeneve negative në shoqëri. Ekspozita vjen si përmbledhje e performancave të saj.