Kulturë

“2000 vjet krishterim te shqiptarët” dëshmon autoktoni e identitet evropian

Libri “2000 vjet krishterim te shqiptarët” i përuruar të hënën në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” është përmbledhje e artikujve shkencorë dhe referimeve të shpalosura para 25 vjetësh. Në simpozium kishin marrë pjesë studiues e historianë të njohur të kohës, jo veç shqiptarë. Ishin emra të dëshmuar në fushën e albanologjisë si Noel Malkolm, Robert Elsie, Peter Bartl, pastaj Kristo Frashëri, Jahja Drançolli, Ramadan Sokoli, Mark Krasniqi, Engjëll Sedaj, Bejtullah Destani dhe jo vetëm
 

Këtu e para një çerekshekull, në kohë të turbullta për shqiptarët, një grup veprimtarësh do të bëheshin tok që t’i jepnin zë historisë e fakteve, duke ftuar albanologë e shkencëtarë eminentë nga të katër anët e botës. Në Arbon të Zvicrës, nga këndvështrime të ndryshme, do të dëshmohej autoktonia e lidhja e shqiptarëve me botën perëndimore. U deshën 25 vjet që materialet e atij simpoziumi të dalin në dritë me përurimin e librit “2000 vjet krishterim te shqiptarët”, siç u titullua edhe ngjarja e bujshme

Më 5 dhe 6 shtator të 1998-s në qytetin historik Arbon të Zvicrës, do të mbahej simpoziumi i parë shkencor për krishterimin ndër shqiptarë. “2000 vjet krishterim te shqiptarët”, do të pagëzohej ngjarja e cila qëllimisht ishte vendosur në shënimin e njëvjetorit të vdekjes së Nëna Terezës. Vlerësohej simpozium me peshë për shkak të idesë, vizionit dhe qëllimit. Është dashur një çerekshekull që materialet e prezantuara asokohe të përmblidhen në librin voluminoz me të njëjtin titull si simpoziumi. Libri vjen tash ndonëse ishte planifikuar të botohej më së largu dy vjet pas ngjarjes, dhe ka disa arsye për këtë.

Në përurimin e mbajtur në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, të hënën paradite, “2000 vjet krishterim te shqiptarët” është konsideruar libër me vlera shkencore, kulturore e historike. Si burim e literaturë e rëndësishme për studiuesit e studentët e për ata që duan të mësojnë për historinë e kulturës dhe të traditës së krishterë te shqiptarët.