Kulturë

Kultura dhe rinia – të përjashtuara nga fuqia për imazhin e Prishtinës

Se të rinjtë dhe kreativiteti i tyre kanë potencial për një tjetër imazh të qytetit, ka qenë njëri prej konstatimeve në diskutimin midis arkitektëve Eliza Hoxha e Rron Beqiri. Por të rinjtë nuk janë aty kur bëhen planet e qyteteve, ka qenë konstatimi tjetër në diskutimin e mbajtur te enjten mbrëma në qendrën “LIBART”, në Bibliotekën “Hivzi Sylejmani” në Prishtinë në kuadër të “Architech”
 

Ftesa për ta imagjinuar “një qytet ku kaosi bëhet inspirim për inovacion dhe rrugët jehojnë me ritmet e një kulture dinamike të drejtuar nga të rinjtë”, është zgjeruar në identifikim problemesh. Njëri prej tyre, se kultura e rinia – si potencial për dinamizim të qytetit – janë të përjashtuara kur merren vendime. Ka shembuj konkretë ku arti dhe të rinjtë, pikërisht te kaosi i Prishtinës diktojnë ndryshime, por kur vjen puna te vendimmarrja, potenciali i tyre zbehet

Në kohën kur nevojat dhe kërkesat e të rinjve po përshpejtohen dhe qasja ndaj tyre duhet të jetë më inovative duke filluar nga proceset e ndërtimit të qyteteve dhe përfshirja e të rinjve, “Architech”, kërkon përgjigje përballë sfidave. Ose së paku e hap temën për to. Kaosi i Prishtinës është pikënisja. “Prishtina – qyteti ku rinia, teknologjia dhe arti përplasen në kaosin urban”, ka qenë tema e diskutimit me të cilin të enjten mbrëma është përmbyllur i katërti edicion i festivalit, organizuar nga Youth Are the Real Leaders – YARL. Ka qenë një seri punëtorish e panelesh diskutimi që sivjet, qysh në prill ka sjellë “Architech”.

Eliza Hoxha, arkitekte dhe deputete në Kuvendin e Kosovës, e ka hapur diskutimin duke ofruar njohjen me procesin e ndërtimeve të qyteteve si për ta adresuar fillimisht vetë problematikën e cila ka rezultuar në një kaos urban në kryeqytet.