Kulturë

Harmonia e diversiteti artistik në veriun e tensioneve të vazhdueshme

Bienalja ndërkombëtare e grafikës “Mitrovicaprint” thuri së bashku një rrëfim në një laramani stilesh dhe artistësh të ekspozuar në një hapësirë që e njeh mirë artin për tash e sa vjet. “Mitrovicaprint” shkon përtej një ekspozite të thjeshtë duke e shndërruar atë në një dialog kulturor që i përcjell ata që shëtisnin nëpër dhomën e kullës së Kadri Kadriut
 

Edicioni i dytë i Bienales Ndërkombëtare të Grafikës ka bërë bashkë artistë nga 3 vende të globit. Veprat në teknika të ndryshme i kanë dhënë tjetër dimension galerisë “Kadri Kadriu”. Në një ambient ku tensionet ndëretnike kanë bërë që shpesh ajo pjesë e Kosovës të jetë edhe vatër konfliktesh, artistët nëpërmjet veprave të tyre kanë krejt tjetër mesazh. I bashkon thirrja për paqe

Në lagjen “Kroi i Vitakut”, në Mitrovicën e Veriut, të hënën mbrëma u shpalos një ngjarje unike. Bota e artit grafik shpërfaqi paletën e saj të gjallë, ndërsa edicioni i dytë i bienales ndërkombëtare të grafikës “Mitrovicaprint” hapi ekspozitën e punimeve me stile, forma e teknika të ndryshme.

Kjo ngjarje jo vetëm që festoi shprehjet e ndryshme të artit grafik, por gjithashtu shënoi një moment të rëndësishëm kulturor për rajonin. Zgjedhja e Mitrovicës së Veriut si lokacion për këtë bienale ishte simbolike, duke kapërcyer kufijtë, jo veç të artit. Kulla historike e Kadri Kadriut – një pjesë e së cilës është shndërruar në galeri dhe bart emrin e vetë piktorit të vrarë nga forcat serbe në mars të 1999-s – një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë së pasur të rajonit shërbeu si vendi i ngjarjes, duke ia shtuar një shtresë të rëndësishme tërë organizimit.