Kulturë

“Edi, Labirinti Dardan dhe Porta e Tukanës”, homazh për Edi Shukriun

Nata e promovimit të librit mblodhi njerëz që e kishin njohur personalisht arkeologen Edi Shukriu. Së bashku kujtuan një individ të shquar që la gjurmë të pashlyeshme në fushën e arkeologjisë dhe, përtej kësaj, shkëlqeu në fushën e artit dhe të poezisë. E libri ilustrativ “Edi, Labirinti Dardan dhe Porta e Tukanës” sjell pak nga historia profesionale e akademikes
 

Në mbrëmjen e së martës u shpalos një projekt që ndërthur sferat e arkeologjisë, artit dhe tregimit. Arkeologia Kaltrina Igrishta dhe ilustruesja Eliza Shala nisën një përpjekje prekëse për t'i bërë homazh arkeologes së parë në Kosovë, Edi Shukriu, përmes krijimit të librit “Edi Labirinti Dardan dhe Porta e Tukanës”. Ky kryqëzim i këndvështrimeve të ndryshme dhe udhëtimi emocional i ndërmarrë nga autoret zbuluan një rrëfim që shtrihet përtej kufijve të fushës së arkeologjisë, duke ofruar një pikëpamje shumëdimensionale për një personalitet të shquar, trashëgimia e së cilës arrin shumë përtej vendeve arkeologjike që ajo ka eksploruar

Në një nderim të përzemërt për arkeologen e ndjerë Edi Shukriu, Kaltrina Igrishta dhe Eliza Shala kanë realizuar një libër unik me ilustrime të titulluar “Edi, Labirinti Dardan dhe Porta e Tukanës”. Me rrëfimin e sjellë nga Igrishta dhe ilustrimet e Shalës, kjo vepër jo vetëm që përkujton veprën e arkeologes së parë në Kosovë, por ndërthur figurat mitologjike në rrëfimin dhe dialogun e saj, duke krijuar një përzierje mbresëlënëse të historisë. Nata e promovimit të librit mblodhi njerëz që e kishin njohur personalisht atë. Së bashku kujtuan një personalitet të shquar që la gjurmë të pashlyeshme në fushën e arkeologjisë dhe, përtej kësaj, shkëlqeu në fushën e artit dhe të poezisë.

Shukriu, e cila u nda nga jeta më 17 janar të këtij viti, u kujtua si një person shumëdimensional dhe profesionist, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm si për botën akademike ashtu edhe për artin. Si arkeologia e parë në Kosovë, ajo ishte pioniere në eksplorimin e vendeve historike, duke zbuluar artefakte të fshehura dhe duke hedhur dritë mbi trashëgiminë e pasur kulturore.