Kulturë

Poezi dhe muzikë rome kundër diskriminimit

Zgjedhja e “Bubble Bar” si vendndodhja e ngjarjes nuk ishte e rastësishme. Aty hapësira u transformua në një vend divers, ku pranimi i secilit ashtu siç është mbretëron. Të pranishmit e gjetën veten të mbështjellë brenda një flluske metaforike, të mbrojtur nga ashpërsia e një bote të rrënuar shpesh nga paragjykimet
 

Në mbrëmjen me poezi e muzikë rome fjalët u bënë instrumente ndryshimi dhe meloditë rezonuan me frymën e qëndrueshmërisë. Organizata “Youth initiative for human rights” shënoi një prej aktiviteteve më të rëndësishme edicionin e 10-të të “Javës për të drejtat e njeriut”. Ndër të tjera u festua për kulturën e pasur të komunitetit rom

Në përditshmërinë e përfshirë nga diskriminimi dhe paragjykimet, organizata “Youth initiative for human rights” shënoi një moment të rëndësishëm – edicionin e 10-të të “Javës për të drejtat e njeriut”. Festa mori një kthesë teksa u shpalos në ambientin e “Bubble Bar”, një hapësirë që, për një moment kalimtar, u kthye në ambient ku paragjykimet e diskriminimi nuk gjejnë vend.

Mbrëmja nisi me një sërë grash dhe aktivistesh të talentuara që dolën në skenë duke thurur copëza emocionesh nëpërmjet poezisë rome. Gynesh Veshall, Urma Menekshe dhe Mehreme Goliqi, secila një zë i qëndrueshëm më vete, recituan poezi që thellohen në temat e dashurisë, përkatësisë dhe realiteteve të ashpra të diskriminimit shoqëror.