Kulturë

"The killing of a journalist" me dramën e vrasjes së gazetarëve

Në kuadër të javës së të drejtave të njeriut, edicionit të dhjetë të organizuar nga “Youth Initiative for Human Rights”, në “Kino Armata” u shfaq dokumentari që hedh dritë mbi një krim të tmerrshëm që tronditi Sllovakinë dhe të gjithë botën e gazetarisë
 

Nëntë vjet më parë, Ján Kuciak, një gazetar investigativ dhe e fejuara e tij Martina Kušnírová, u bënë viktima të një vrasjeje brutale në shtëpinë e tyre në fshatin Velká Mača në Sllovaki. Regjisori sllovak Matt Sarnecki ka eksploruar prezencën e krimit të organizuar në një qeveri të korruptuar, e cila në rastin e dy gazetarëve që u sakrifikuan në emër të së vërtetës duket se përcakton edhe vetë fatet e jetëve të njerëzve. Në dokumentarin "The killing of a journalist" (Vrasja e një gazetari") pasqyrohet ndikimi i dorës fantome përmes krimit e korrupsionit nën petkun e sistemit ligjor dhe zbatimit të ligjit në një vend demokratik evropian. Në kuadër të javës së të drejtave të njeriut, edicionit të dhjetë të organizuar nga “Youth Initiative for Human Rights”, në “Kino Armata” u shfaq dokumentari që hedh dritë mbi një krim të tmerrshëm që tronditi Sllovakinë dhe gjithë të botën e gazetarisë

Protagoniste kryesore në dokumentar është Pavla Holcova, kolege e gazetarit të vrarë nga mediumi “Aktuality.sk”, ku edhe kishin punuar së bashku. Ajo bashkë me kolegë të tjerë ishin të angazhuar për të zbuluar lidhjet midis zyrtarëve më të lartë shtetërorë, biznesmenit sllovak, Marian Kocner, dhe mafisë italiane “Ndrangheta”. Regjisori interviston gazetarë, sociologë, familjet e avokatët e çiftit të vrarë, por edhe avokatin e vetë protagonistit “negativ” Marian Kocnerit duke ofruar perspektiva të ndryshme, të cilat pasurojnë rrugëtimin drejt zbulimit të së vërtetës.