Kulturë

Artisti në labirint eksploron kujtimet që shndërrohen në vepra

“Maze” është e para vepër me të cilën vizitori bie në kontakt. I kushtohet eksplorimit të kujtimeve të para të artistit. Materiali pëlhurë i vendosur në formë të perdeve të errëta me ngjyrë vjollcë është instaluar për të formuar korridore zigzage
 

Dardan Zhegrova ka vendosur që t’i ndajë me publikun kujtimet e tij. E këtë e bën nëpërmjet katër etapave jetësore, që janë katër kapituj të ekspozitës së tij “Brand New Ancients”. Kthehet në të kaluarën, eksploron fëmijërinë, por nuk ndalet aty. Është një lloj autobiografie, ku fjalët janë veprat e artit. “Është si një udhëtim nëpër hapësirë, ku e kaluara është duke e formuar të tashmen, duke e drejtuar të ardhmen...”, ka thënë Zhegrova

“Brand New Ancients” është rrëfimi jetësor i Dardan Zhegrovës me art. Një lloj monografie artistike e shkrirë në instalacione tekstilesh, tingujsh e skulpturash nëpërmjet të cilave ndërtohen kujtime. Skenografia e ekspozitës vjen kronologjikisht, prej fëmijërisë e deri më sot. Periudha e fundit është hapësira boshe në të cilën reflekton etapat e deritanishme. Veprat i bëjnë të gjalla dhe i nënshtrojnë në transformim kujtimet.

Ekspozita – njëra prej dy të fundit të programit vjetor që vijnë paralelisht – fut në Galerinë Kombëtare të Kosovës qasje të reja artistike. Praktika e artistit Zhegrova është produkt i veprave unike të ekspozuara aty.