Kulturë

“Veç shiu na ka pshtu” ngjall rrëfimet e refugjatëve të luftës në Kosovë

Hapësira ekspozuese në katin e dytë të Muzeut Kombëtar të Kosovës me “Veç shiu na ka pshtu” rrëfimeve të refugjatëve ua jep frymën e artefakteve. Janë aty për ta dokumentuar të kaluarën (Foto: YiHR/FB)
 

Rrëfimet janë të trishta, secili që e ka përjetuar luftën gjen pikat e përbashkëta, por zymtësia e tyre thyhet me ngjyrat e veprave të Rina Krasniqit, e cila historitë reale i shndërron në ilustrime. Kjo nuk bëhet për efekte kontrastesh – historitë reale vetëm ngjyra s’kanë – por për ta dokumentuar e për të përjetësuar një kapitull, i cili përditë e më shumë rrezikon të harrohet

“Veç shiu na ka pshtu”, nuk është thjesht një varg, por në kontekstin e një çerekshekulli më parë merr kontekst krejt tjetër. Është realitet, konstatim i gjendjes, frikës dhe fatit. Në “Javën e të Drejtave të Njeriut” – që shënon dekadën e parë nën organizmin e Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – është edhe titull ekspozite. Është hapur në ditën e dytë të “Javës...”.

Frymëzimin e gjen te historitë e refugjatëve në Muzeun Virtual të Refugjatëve, një platformë e cila për shumë vjet ka ofruar një hapësirë për përkujtimin dhe dokumentimin e përvojave të të dëbuarve si pasojë e luftës, nëpërmjet audiotregimeve.