Kulturë

“Kujtimet e së nesërmes” në përplasje kohësh për ngjyrat e së ardhmes

Veprat e ekspozitës së Asociacionit të Artistëve Vizualë të Kosovës në përgjithësi janë moderne e abstrakte dhe të mediumeve të ndryshme. Projeksionet e skulptorit Adem Rusinovci me material druri (në foto) janë si simbolikë e ringjalljes pas shkatërrimit
 

Aty ka kujtime, shenja lufte, tjetërsim të njeriut nga natyra, dëshpërim, por mbi të gjitha optimizëm. Është një lloj parashikimi i së ardhmes. Tërhiqen paralele midis së kaluarës së Kosovës si thirrje që historia të mos përsëritet, diku njeriu përballet me teknologjinë

Tranzicioni prej luftës në Kosovë drejt një shoqërie të qëndrueshme, optimiste dhe të sigurt, është koncepti për “Kujtimet e së nesërmes”. Ekspozita vjetore e Anëtarëve të Asociacionit të Artistëve Vizualë të Kosovës sivjet ka qenë e veçantë pasi është angazhuar kurator për ekspozitën. Britaniku James Walmsley e ka ndërlidhur të tashmen në botë me të kaluarën e vendit. Me vepra tërhiqet një lloj paraleleje ndërmjet së kaluarës, së tashmes dhe së ardhmes duke prezantuar humbjen, rrënimin dhe rilindjen.

Veprat në përgjithësi janë moderne e abstrakte dhe të mediumeve të ndryshme. Pikturë, fotografi, skulpturë e instalacion janë format e artit pamor të prezantuara në ekspozitën vjetore të AAVK-së. Aty janë bukuria e natyrës e ndikimi i teknologjisë në shoqëri.