Kulturë

Alpinistja shqiptare në majat e botës – rrëfim guximi e inspirimi

“Uta – The climb for Kosovo” nuk shfaq vetëm lartësitë që arriti Uta Ibrahimi, por edhe thellësinë e lidhjes së saj me natyrën, familjen e edhe Kosovën. Dokumentari 20-minutësh kap thelbin e udhëtimit të saj jo vetëm nëpër shpatet e pabesa të Everestit
 

“Uta – The climb for Kosovo”, i dhënë premierë në Kosovë, pos eksplorimit të natyrës vjen edhe si eksplorim i vetvetes, situatave dhe dashurisë për vendlindje. Në 20 minuta rrëfimi çon me pamje te momentet triumfuese e sfiduese të alpinistes së parë shqiptare, që ka ngjitur majën më të lartë në botë. Mbi të gjitha e vendos përkushtimin e saj

Në Himalaje, ku ajri hollohet dhe sytë zor se ngopen me pamjen, alpinistja shqiptare Flutura Ibrahimi, e njohur si Uta Ibrahimi, ka skalitur emrin e saj në faqet e historisë së alpinizmit. Ajo është e para shqiptare alpiniste që pushtoi malin e Everestit në kreshtën e Himalajeve të Mëdha të Azisë Jugore, që shtrihet në kufirin midis Nepalit dhe rajonit të Tibetit të Kinës. Fiks 8 mijë e 849 metra lartësi.

Në mbrëmjen e së premtes, në kinemanë “Armata” u dha premiera e filmit dokumentar “Uta – The climb for Kosovo” dhe aty publiku nuk pa vetëm lartësitë që ajo arriti, por edhe thellësinë e lidhjes së saj me natyrën, familjen e edhe Kosovën. Dokumentari 20-minutësh, i realizuar më 2019-n, kapi thelbin e udhëtimit të Ibrahimit. Një udhëtim jo vetëm nëpër shpatet e pabesa të Everestit.