Me një marsh tradicional që synon ta vetëdijesojë publikun ka nisur shënimi i Ditës Botërore për Ndërgjegjësimin për Autizmin.
E kërkesa konkrete kanë parashtruar për Qeverinë prindërit e organizatat për personat me autizëm, gjatë një tryeze.
“Për çdo hap përpara duhet të krijohet fondi, këta fëmijë i takojnë Qeverisë për çdo kërkesë dhe nevojë. Kur e them këtë, them se sikur të gjitha shkollat fillore, gjimnazi, sistemi arsimor ka buxhet, duhet të ketë buxhet edhe për qendrën e parë e cila po hapet, besoj për një muaj a dy, ku fëmijët tanë do të shkojnë, por të mos mbesin prindërit lypsarë të kërkojnë fonde që ta sjellin fëmijën në atë qendër ditore. Ajo është një ngarkesë e dyfishtë. Jo vetëm që e ke fëmijën me kërkesa e aftësi të kufizuara, por plus të duhet fondi. Këta fëmijë i takojnë Qeverisë edhe shtetit të Kosovës”, ka thënë Shpresa Xhakli, aktiviste për të drejtat e personave me autizëm.
“Vështirësitë kanë qenë gjithmonë kur prindërit janë obliguar t’i dërgojnë fëmijët e tyre jashtë shtetit për vlerësime më të detajuara, sidomos me numrin e madh të fëmijëve të cilët i kanë dërguar në Shqipëri”, ka thënë drejtoresha e organizatës ANAK, Jeta Deva.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se mospërfshirja e personave me autizëm në shoqëri është mungesë ndjeshmërie, është tregues i deficitit institucional e social në përmbushjen e nevojave të tyre.
“Duke qenë se njeriu është qenie në përkufizim, i shoqërueshëm, kjo do të thotë dy gjëra. Ai është i pajisur domosdoshmërisht me ndjenjën e marrëdhënies me të tjerët, raporteve me të tjerët, por kjo do të thotë edhe se ai është i ndryshëm në aftësinë për qasje në shoqëri, andaj edhe duhet të flasim për cilësinë e demokracisë. Rasti i fëmijëve autistë nuk dëshmon për deficit në dëshirën e tyre për marrëdhënie shoqërore, por vetëm nevojën e tyre për shoqërim më të matur, më të hollë e më të rregullt. Nëse shoqëria nuk zotëron mjetet për të përmbushur këtë pritje, atëherë pa dyshim që deficiti qëndron te shoqëria dhe institucionet e saj. Në një mungesë të tillë do të shohim se në vend të pranisë të shëndetshme të shoqërisë, izolimi i personave me aftësi të kufizuara e paaftëson shoqëron në tërësi në empati”, ka thënë Kurti.
Në këtë tryezë mori pjesë edhe ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, i cili deklaroi se do të mundësohet diagnostikimi dhe intervenimi terapeutik.
Sipas Qeverisë gjatë muajit shkurt të këtij viti për 324 fëmijë me autizëm, Qeveria i ka ndarë nga 100 euro.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.