LAJMET E MBRËMJES

Mjete piroteknike drejt veturës policore afër Jarinjes, pesë sulme për katër ditë

 

Afër një veture të policisë së Kosovës, që ndodhej përskaj një rruge të mbyllur të kontrabandës në veri, afër Jarinjes, të shtunën janë hedhur mjete piroteknike. Janë pesë sulme për katër ditë që kur nisën sulmet ndaj policisë këtë javë. Është hera e parë që veturat sulmohen në afërsi të Jarinjes dhe hera e dytë që policia dyshon për sulm nga territori i Serbisë

Një veturë e policisë së Kosovës dyshohet se u godit me mjete piroteknike mëngjesin e së shtunës. Sipas njoftimit të policisë, sulmi ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit afër pikës kufitare në Jarinje. “Sot, më 16.04.2022, rreth orës 03:10, në Sharpej të Jarinjes, kanë ndodhur dy shpërthime (dyshohet nga mjete piroteknike). Shpërthimet kanë ndodhur afër veturës së policisë, e cila ishte në një pikë statike ku policia ishte e përqendruar në parandalim të kontrabandës në atë zonë”, ka shkruar PK në njoftimin e saj.

Kthesa që çon në këtë fshat është rreth një kilometër larg pikës kufitare. Ky sulm, i pesti me radhë brenda katër ditësh, ka ndodhur afër një rruge të mbyllur prej policisë, me qëllim të ndaljes së kontrabandës. Po ashtu, është sulmi i dytë në këtë periudhë për të cilin policia vlerëson se ka ardhur nga territori i Serbisë.