LAJMET E MBRËMJES

IKD: Gjyqtarët joefikasë, dyfishohet numri i lëndëve civile të pazgjidhura

 

Mangësi në trajtimin e lëndëve të natyrës civile nga ana e gjyqësorit janë evidentuar në raportin e publikuar të martën nga Instituti i Kosovës për Drejtësi. Bazuar në raportin “Regresi i drejtësisë civile”, ka dalë se gjatë vitit 2021 një gjyqtar ka zgjidhur mesatarisht 214 lëndë, apo 115 më pak sesa që përcaktohet me Rregulloren e Këshillit Gjyqësor. Joefikasiteti i gjyqtarëve, si dhe pranimi i lëndëve të reja, sipas raportit, kanë ndikuar që numri i lëndëve të natyrës civile, nga viti 2018 deri më 2021, të dyfishohet

Joefikasiteti i gjyqtarëve dhe rritja e numrit të lëndëve të reja të pranuara ka ndikuar në dyfishimin e lëndëve të natyrës civile që presin për trajtim prej vitit 2018 deri në vitin 2021, ka treguar një raport i publikuar të martën nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Bazuar në të dhënat nga raporti “Regresi i drejtësisë civile” del se vetëm gjatë vitit 2021 janë pranuar 43.536 lëndë, teksa seancat gjyqësore për mbi 24 për qind të tyre janë shtyrë për shkaqe të ndryshme.