Katër zyrtarë policorë të stacionit në Lipjan janë suspenduar të shtunën nga detyra, shkaku i shkeljeve të evidentuara rreth zbatimit të urdhrit të mbrojtjes për shtatzënën 35-vjeçare, që të mërkurën u vra në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë në Prishtinë.
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka njoftuar të shtunën nëpërmjet Facebookut se Drejtoria Rajonale e Prishtinës ka zbatuar rekomandimin për suspendim të dhënë nga Inspektorati Policor.
“Sapo jam njoftuar se nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se ka dyshime të bazuara për veprat penale ‘Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar’ dhe ‘Falsifikim i dokumentit zyrtar’. Me këtë rast, Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e katër zyrtarëve policorë nga Stacioni Policor në Lipjan, ndërsa nga Drejtoria Rajonale e Prishtinës është zbatuar ky rekomandim”, ka njoftuar Sveçla.
Suspendimin e komandantit të Stacionit Policor në Lipjan, një rreshteri dhe dy hetuesve, Inspektorati Policor e ka rekomanduar mbështetur në gjetjet hetimore që treguan se ekzistojnë elemente të veprave penale.
“Hetuesit e IPK-së, si rezultat i ndërmarrjes së disa veprimeve hetimore, kanë arritur deri te dyshimi i arsyeshëm, se lidhur me zbatimin e urdhrit mbrojtës nga ana e zyrtarëve të Stacionit Policor Lipjan ka elemente të veprave penale: 'Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar', si dhe 'Falsifikim i dokumentit zyrtar’”, thuhet në komunikatën e Inspektoratit Policor.
Në Inspektorat kanë paralajmëruar edhe veprime të tjera, në koordinim me Prokurorinë e shtetit.
Ndërlidhur me rastin, Policia të shtunën ka zbardhur hollësi rreth vetëvrasjes së të dyshuarit për vrasjen e gruas. Nëpërmjet raportit 24-orësh, Policia ka konfirmuar sekuestrimin e armës me të cilën është kryer vetëvrasja, si dhe karikatori pa fishekë.
“Njësitë policore kanë zhvilluar një aksion për arrestimin e të dyshuarit kosovar lidhur me rastin vrasje. Gjatë intervenimit është arritur që të largohen anëtarët e familjes nga shtëpia, ndërsa i dyshuari nuk ka pranuar negocimin me Policinë dhe ka qëlluar veten me revole. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor. Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me një karikator pa fishekë dhe një predhë”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.
Të premten, familjarë dhe miq i kanë dhënë lamtumirën e fundit 35-vjeçares së vrarë bashkë me foshnjën e saj në bark. Vetëm pak orë pas varrimit të saj, i dyshuari ka kryer vetëvrasje në shtëpinë e tij në Shtime, pas lokalizimit të vendndodhjes nga Policia.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.