Projekt që mbështetet mbi pragmatizëm politik, ligjet e vendit dhe kërkesat e serbëve, e kanë kualifikuar hartuesit e tij, draft-statutin me titull “Asociacioni i Komunave në Republikën e Kosovës, në të cilat komuniteti serb i Kosovës është shumicë”.
Përfaqësuesi i Fondacionit Fridric Ebert Stiftung (FES) për Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, në një konferencë të organizuar të hënën, ka listuar tri objektivat e publikimit të këtij dokumenti.
“Propozimi i këtij draft statuti të Asociacionit është në linjë me kushtetutën dhe ligjet në fuqi të Kosovës. Ai adreson dhe përfshin pritjet apo shqetësimet e banorëve që presupozohet të jenë anëtarë të komunave. Po ashtu synohet të lehtësohet debati publik për një çështje me interes kombëtar, mbi bazën e draft statutit”, ka thënë ai.
Egzon Osmanaj, koordinator i projektit ka thënë se janë marrë për bazë marrëveshjet e deritashme të Brukselit, dispozitat kushtetuese dhe aktgjykimi i Kushtetueses përkitazi me Asociacionin.
“Ka pasur tendenca me e ndërlidh me faktorë tjerë se ky draft statut ka qenë i porositur prej dikujt. Rrjedhja e drafteve ka shtuar presionin tek koleget tanë. Kemi dashur të jemi transparent dhe të hapur. Terminologjia e përdorur bazohet në kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe kuadrin ligjor të saj. Që të jetë më përfshirës kemi organizuar seri të punëtorive me të cilët kemi diskutuar me ekspertë, akademikë dhe të gjitha diskutimet janë përfshi aq sa kemi pasur mundësi”, ka theksuar Osmanaj.
Por përfaqësues të partisë në pushtet dhe ata të organizatave të shoqërisë civile kanë ngritur shqetësime se ky draft, i jep kompetenca Asociacionit përtej atyre që ofron Kushtetuta e vendit.
Alban Krasniqi - këshilltar i ministrit të Pushtetit Lokal tha se ky propozim drafti shkel së paku tri ligje që janë në fuqi.
“Së paku janë tri ligje me të cilat bie në kundërshtim ky propozim. Ato janë ligji për vetëqeverisje lokale, ligji për financat publike në nivel lokal dhe ligji për bashkëpunim ndërkomunale. Pra nuk është e vërtetë që ky propozim ashtu siç është nuk bie në kundërshtim me ligjet aktuale që ekzistojnë në Republikën e Kosovës”, ka theksua Krasniqi.
Sipas këtij draftstatuti, shpenzimet e Asociacionit parashihet të jenë subjekt i auditimeve nga autoritetet qendrore, përfshirë Auditorin e përgjithshëm. Por Visar Ymeri nga Instituti “Musine Kokalari”, ka thënë se ligjet aktuale përcaktojnë auditimin e financave të komunave, e jo një subjekti siç është Asociacioni.
“Pra ato fonde që ta zëmë janë bartur prej komunës së Podujevës tek asociacioni ato fonde auditohen edhe shihen pse janë mbajtë. Por nuk auditohet asociacioni meqë ai konsiderohet se nuk është organ shtetëror nga auditori i përgjithshëm”, ka deklaruar Ymeri.
E Ehat Miftari dha vërejtje sa i përket terminologjisë së neneve që hyjnë në domenin e gjyqësorit.
“Ka pika që thonë se Asociacioni ‘promote’ (promovon) dhe protect (mbron). Në aspektin kushtetues e ligjor kur përmendet fjala ‘protect’ janë ingerenca që i takojnë gjyqësorit, do të thotë instancave shtetërore. Nuk besoj se asociacioni ka kompetenca e mekanizma që do t’i mbrojë këto. Duhet kuptuar se asociacioni ka qëllim t’i promovojë dhe lehtësojë bashkëpunimin mes komunave”, është shprehur Miftaraj.
Duke iu përgjigjur vërejtjeve të pjesëmarrëseve, juristja Gjylieta Mushkolaj, e cila është marrë me aspektin juridik të draftstatutit, e pranoi se propozimi e definon Asociacionin si organizatë joqeveritare.
“Ky Asociacion nuk është sikurse asociacionet e tjera, nuk është NGO. Por ka shumë entitete të ndryshme jo qeveritare të cilat themelohen dhe bashkëveprojnë së bashku me qeverinë. Nuk është kjo ndonjë gjë unike në Kosovë edhe pse secili shtet ndërtohet sipas cilësive unike që i ka. Shqetësimet tjera që u thanë janë të periudhës 2006-2007, debateve të mëdha derisa është ardhur deri tek një propozim gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Kështu që ne sot nuk po e kthejmë historinë prapa, ne po ecim përpara”, ka thënë Mushkolaj.
Ky propozim e definon Asociacionin si person juridik, i cili do të ketë simbolet e veta zyrtare, duke përfshirë stemën dhe flamurin.
Neni 6 përcakton trupat e Asociacionit të cilat do të jenë: Kryetari; Nënkryetari; Këshilli; Bordi; Zyra për Ankesa dhe Parashtresa e Asociacionit/Bashkësisë.
Sa u përket objektivave, aty përcaktohet se Asociacioni ushtron pasqyrë të plotë në ekonominë lokale, në fushën e arsimit, kujdesin shëndetësor, si dhe planifikimin urban.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.