Kompensim për llogari të Serbisë e ka kualifikuar kryeministri Albin Kurti insistimin për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Një ditë pas takimit të mbyllur në Ambasadën Amerikane, ku u diskutuan modalitetet e krijimit të këtij mekanizmi, kryeministri ka thënë se në Kosovë nuk është i mundshëm Asociacioni njëetnik.
“Jam qytetar i Kosovës që edhe si aktivist politik, edhe si deputet opozitar, dhe edhe sot si kryeministër është angazhuar e afirmuar për të gjitha të drejtat e pakicave pa dallim. Kërkesat, nevojat e qytetarëve serbë dhe çdo pakice jam kryeministër edhe i tyre dhe i plotësoj. Por s’mund ta kompensojmë Serbinë për luftën e humbur në pranverën e vitit 1999, por ajo duhet të na kompensojë për dëmet që na ka shkaktuar edhe në njerëz, edhe në të mira materiale”, ka thënë Kurti.
Kurti e ka cilësuar të dëmshme dhe të papranueshme që në Kosovë të ketë asociacion për serbët e në Luginë të Preshevës vetëm Këshill Nacional Shqiptar.
Ai është shprehur i hapur për diskutime mbi bazën e propozimit të Bashkimit Evropian, të mbështetur nga Gjermania, Franca dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Zyra e tij nuk ka ofruar sqarime të mërkurën nëse do të merren për bazë çështjet e ngritura në takimin e Ambasadës amerikane dhe nëse ato do të përfshihen në kuadër të diskutimeve të ardhshme, ashtu siç kërkoi ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier.
Kurti nuk ishte i ftuar, por vartës të tij që morën pjesë në diskutimin e Ambasadës amerikane thanë se mbështesin inicimin e proceseve të tilla.
Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka refuzuar të komentojë refuzimin e kryeministrit për Asociacionin.
“Takimi ka qenë produktiv dhe unë e shoh që ka pasur një dimension të nivelit të lartë të seriozitetit, sepse konsideroj që ka pasur mbështetje në një organi për ne kaq politikisht të them influencues, siç është Ambasada amerikane. Edhe pse takimi nuk ka pasur ndoshta ndonjë përmbyllje teknike por në veçanti ka pasur peshë politike. Kështu që e vlerësoj si një takim pozitiv shumë më të mirë se takimet paraprake, në të cilat kam qenë pjesëmarrës, e vlerësoj si akt pozitiv”, ka thënë Rashiqi.
E, ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, e ka përsëritur edhe të mërkurën, pas takimit me kryetarin e Gjakovës, Ardian Gjini, se ka ardhur koha për themelimin e Asociacionit.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës mendojnë se tani ka ardhur koha që Qeveria e Kosovës të ecë përpara me Asociacionin e komunave me shumicë serbe. E dyta është se kemi qenë shumë të qartë se çka nuk duhet të jetë. Nuk duhet të jetë Republikë Serbe, nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive. Pra, sërish çështjet të cilat i kemi përmendur janë edhe në deklaratë. Bashkimi Evropian dhe ShBA-ja janë po aq të qëndrueshme dhe të rrepta në mbështetjen për Kosovën, siç kanë qenë gjithmonë për një shtet, i cili është sovran, demokratik, shumetnik dhe i pavarur”, ka thënë Hovenier.
Asociacioni është një nga 33 marrëveshjet për të cilin insiston edhe Serbia, derisa në bllokadë janë shumë marrëveshje të tjera nga dialogu i deritashëm në Bruksel.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.