Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mohuar se vetëmenaxhimi i komunitetit serb dhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe janë e njëjta gjë.
Një ditë më parë, emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në një intervistë për REL-in, nuk bëri ndonjë dallim ndërmjet tyre.
Por, të mërkurën, Kurti tha se ato janë larg njëra-tjetrës.
“Në pikën 7 të marrëveshjes bazë thuhet një nivel adekuat i vet-menaxhimit të komunitetit serbë. Thuhet komunitetin serbë nuk thotë komunat. Komuniteti nuk është kategori territoriale. Komunat janë njësi territorial dhe administrative. Unë e kuptoj që nuk janë krejtësisht të ndryshme të palidhura por nuk janë e njëjta gjë….”, ka thënë Kurti.
Katër ditë pas takimit në Ohër, shefi i Qeverisë shpalosi hollësi nga propozimi që tha se ia ka bërë presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për formimin e Asociacionit.
Kryeministri tha se ka kërkuar që të pranohen tri shtyllat: Kushtetuta e aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, si dhe qëndrimet e BE-së dhe të SHBA-së lidhur me atë se çfarë është e çfarë nuk është Asociacioni.
“Me këto tri shtylla unë u kam thënë ua sjell statutin si draft të shkruar nesër në mëngjes. Këtë ua kam thënë në pasditën e hershme të 18 marsit në takimin trilaterial mirëpo është refuzuar. Edhe jo vetëm që është refuzuar por u tha që nuk paskemi çfarë të diskutojmë më tutje, po humbin kohë, mundemi lirisht të ngritemi nga ky takim e të shkojmë”, ka shtuar ai.
Lidhur me qasjen e Serbisë karshi marrëveshjes së dakorduar në Ohër dhe në Bruksel, kryeministri ka kërkuar sërish reagimin e BE-së.
“Është ndërmjetësi ai i cili imponon zbatimin ose konstaton moszbatim a shkelje dhe sanksionet përkatëse. Është ndërmjetësi ai që e ka fjalën tash për çfarë do devijimi, deformimi apo shkelje”, ka thënë i pari i Qeverisë.
Kurti iu ka bërë thirrje partive politike e kandidatëve që të marrin pjesë në zgjedhjet e 23 prillit për kryetarë e asamble në veri.
Por një thirrje për t’u kthyer në postet e tyre, ka thënë se nuk mund ta bëjë edhe për ata që janë dorëhequr.
“Atij i cili e hodhi uniformën e Republikës së Kosovës unë s`i them dot kthehu ose atij që shkoi edhe mori medalje në Beograd pas dorëheqjes. Mirëpo të therët të cilët janë të interesuar pa dyshim që ne e mirëpresim aplikimin e tyre..”, ka shtuar ai.
Kosova dhe Serbia më 18 mars janë pajtuar në Ohër mbi planin e zbatimit të propozimit evropian. Por një ditë pas dakordimit, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka deklaruar se nuk do të zbatojë disa prej pikave të saj.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.