Dorëheqjen e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi, dhe të prokurorit të rastit e kanë kërkuar të enjten përfaqësues të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), një ditë pasi që Gjykata Kushtetuese mori vendim se autoritetet shtetërore të drejtësisë, me anë të mosveprimit, ia kanë mohuar të drejtën për jetë Sebahate Morinës, e cila ishte vrarë nga bashkëshorti më 2021.
Kushtetuesja e mori këtë vendim të mërkurën, pasi e bija e së ndjerës Morina i dorëzoi kërkesë Gjykatës më 13 korrik të 2021-s, duke propozuar që të konstatohet se mosveprimet e stacionit policor në Graçanicë dhe Prokurorisë Themelore në Prishtinë kanë shkelur të drejtën për jetë, të garantuar me nenin 25 të Kushtetutës.
Gëzim Shala, hulumtues në IKD, ka thënë se pas vendimit Munishi dhe prokurori i rastit duhet që të japin dorëheqje të menjëhershme.
“Veprimi më i paktë që kërkohet nga ana e kryeprokurorit Munishit dhe e prokurorit të rastit është dorëheqja e menjëhershme e tyre për të treguar se në rastin konkret mbajnë përgjegjësi dhe që sistemi vazhdon të jetë i gatshëm për t’i mbrojtur viktimat e dhunës në familje. Nëse kjo nuk ndodh, më e pakta që mund të bëjë sistemi prokurorial është që të dëshmojë se nuk vepron në mënyrë korporatiste, duke mbrojtur prokurorët e caktuar, por vepron në drejtim të mbrojtjes së viktimave të dhunës në familje”, ka thënë Shala.
Betim Musliu, zëvendësdrejtor në IKD, e ka cilësuar të pafalshme heshtjen e udhëheqësve të institucioneve të shtetit, pas vendimit të Kushtetueses për rastin e Morinës.
“Sipas Gjykatës Kushtetuese, i është mohuar e drejta për jetën. Për ne është shumë e çuditshme, po ashtu e pafalshme, heshtja e presidentes (Vjosa) Osmani, kryeministrit (Albin) Kurti, ministres (së Drejtësisë, Albulena) Haxhiu, sidomos ministrit (të Brendshëm, Xhelal) Sveçla. Lidhur me këtë rast, pas shpalljes së këtij aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese, heshtja e tyre në fakt flet se sa e kanë prioritet gruan dhe mbrojtjen e saj nga dhuna në familje”, ka theksuar ai.
Aktvendimin e Kushtetueses, hulumtuesja e lartë e IKD-së, Arrita Rezniqi, e ka kualifikuar si një fitore të madhe për të gjitha rastet kundër dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore.
“Një vendim i tillë, i cili është marrë dje (e mërkurë) nga ana e Gjykatës Kushtetuese, që ne e kemi pritur që një kohë të gjatë që të vendoset për këtë rast, përkundër ndjeshmërisë dhe dhembshurisë që na përfshinë, të gjithë ne që kemi qenë të përfshirë në trajtimin e këtij rasti, përbën një rast shumë të rëndësishëm dhe shënon një fitore të madhe për krejt rastet kundër dhunës në familje dhe dhunës në bazë gjinore”, ka thënë Rezniqi.
Në njoftimin nga Gjykata Kushtetuese është bërë e ditur se Policia e Kosovës, përkatësisht Stacioni Policor në Graçanicë dhe Prokurori i Shtetit kanë dështuar në përmbushjen e detyrimeve të tyre për mbrojtje të jetës së Morinës. Ajo disa herë e kishte raportuar ish-bashkëshortin e saj në Polici. Këtë për herë të fundit e ka bërë dy javë para se të vritej, më 14 mars të vitit 2021.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.