Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e mblodhi të shtunën Këshillin e Sigurisë Kombëtare, një ditë pas trazirave në veri që e pasuan aksionin e Policisë së Kosovës për t’ua mundësuar qasjen në zyra kryetarëve të rinj të komunave në Leposaviq, Zubin-Potok e Zveçan.
Pas mbledhjes, zyra për media e Presidencës në Serbi njoftoi se është vendosur që forcat e armatosura serbe të jenë në nivelin më të lartë të gatishmërisë luftarake deri në një njoftim të ardhshëm.
Niveli i gatishmërisë ushtarake, me urdhër të Vuçiqit, është ngritur të premten ndërsa forcat serbe janë drejtuar në afërsi të kufirit me Kosovën, si rrjedhojë e ngjarjeve në veri.
“Forcat e armatosura të Serbisë mbesin deri në një njoftim të ardhshëm në nivelin më të lartë të gatishmërisë luftarake, shkaku i ushtrimit brutal të dhunës nga ana e Albin Kurtit dhe të forcave të tij ndaj popullit serb në Kosovë”, thuhet nga Presidenca e Serbisë.
E në mbledhjen e kryesisë së Partisë Përparimtare Serbe, prej udhëheqjes së të cilës Vuçiqi dha dorëheqje të shtunën, presidenti serb e quajti të vështirë situatën e krijuar në veri të Kosovës.
“Ata do të vazhdojnë me atë që quhet realitet i ri, i cili në asnjë mënyrë nuk i shkon për shati popullit serb dhe që është në kundërshtim me të gjitha marrëveshjet e nënshkruara dhe të gjitha aktet e normat juridike publike ndërkombëtare. Rezistenca e popullit serb sigurisht që do të jetë gjithnjë e më i fortë dhe më e fuqishme, shpresoj me mjete paqësore dhe demokratike. Nëse ata sulmohen ose në ndonjë mënyrë tjetër, jam i sigurt se serbët do të mbrohen”, tha Vuçiq.
Ndërkaq në veri, përfaqësues të Listës Serbe i adresuan kërkesë Vuçiqit që ta pezullojë dialogun me Kosovën.
“Ne përfaqësuesit politikë të popullit serb në Kosovë, sikurse i gjithë populli serb, i adresojmë lutje, apel e kërkesë presidentit tonë Vuçiq dhe gjithë udhëheqësisë shtetërore që menjëherë të pezullojnë çfarëdo pjesëmarrje të mëtutjeshme të Beogradit në dialogun me Prishtinën. Konsiderojmë se bisedimet tjera me Prishtinën, në rrethanat aktuale, jo vetëm se janë të i palogjikshme por edhe kundërproduktive”, tha Rakiq.
E për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës, Rakiqi ka numëruar si kushte themelimin urgjent të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, tërheqjen e të gjitha njësiteve speciale të Kosovës nga veriu, garantimin e lirisë së lëvizjes, targat KM të veturave si dhe ndërprerjen e masave ndëshkuese.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.