LAJMET E MBRËMJES

Osmani: BE-ja të ketë qasje të balancuar në dialogun Kosovë-Serbi

Në selinë e NATO-s, presidentja Vjosa Osmani është pritur nga sekretari i përgjithshëm, Jens Stoltenberg, me të cilin ka diskutuar veçmas për situatën e sigurisë në veriun e Kosovës të banuar kryesisht me serbë
 

Nga selia e NATO-s, presidentja Vjosa Osmani i ka bërë thirrje BE-së që të ketë qasje të balancuar në dialogun me Serbinë. Ajo ka theksuar se vetëm nëpërmjet qasjes së barazisë së plotë mund të shihen rezultate të qëndrueshme e që i kontribuojnë paqes e sigurisë në rajon. E, pas pritjes që ia ka bërë Osmanit, shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka theksuar se dialogu është e vetmja mënyrë për të zgjidhur çështjet e mbetura pezull mes të dyja vendeve

Presidentja Vjosa Osmani ka shtruar nevojën që emisari i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi të ketë qasje të balancuar në proces.

Ajo ka qëndruar të enjten në Bruksel, ku është pritur nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. Në konferencën e përbashkët për media pas takimit, presidentja Osmani ka thënë se BE-ja në disa raste nuk ka pasur qasje të balancuar.