Hamburgeri 10 vjeçar i McDonald's-it që s’di të prishet Foto: AFP

Hamburgeri 10 vjeçar i McDonald's-it që s’di të prishet

02 November 2019 18:24

Kur McDonald's mbylli të gjitha restorantet e veta në Islandë më 2009, një personi vendosi të blinte hamburgerin e fundit bashkë me patatina.

“Kisha dëgjuar se McDonald's-i nuk dekompozohet kurrë dhe desha të shoh nëse është e vërtetë”, ka thënë Hjortur Smarason për AFP-në.

Këtë javë janë bërë 10 vjet nga blerja e ushqimit që me sa duket është i pashkatërrueshëm, dhe madje nuk duket se është bajat as edhe një ditë.

Vëzhguesit kureshtarë mund të shohin edhe ‘live’ burgerin nga lokacioni i tij aktual në një kabinet qelqi në Snotra House, një hostel ky në Islandën jugore.

“Plakushi është ende këtu, por po ndihet mirë. Duket vërtet mirë”, ka thënë pronari i hostelit, Siggi Sigurdur, për “BBC News”, transmeton Koha.net.

Image

“Natyrisht se është gjë interesante, por ju bën të mendoni për atë që hani. Nuk ka myk, vetëm letra mbështjellëse duket e vjetër”.

Hosteli thotë se njerëzit vijnë nga mbarë bota për të parë burgerin, ndërsa ueb-faqja ka arritur në 400,000 vizita në ditë.

Në ekzistencën e tyre të shkurtër, burgeri dhe patatinat kanë lëvizur mjaftë.

Fillimisht, Smarasoni e kishte futur në një qese plastike dhe e kishte vendosur në garazhin e tij për të parë gjendjen e tij.

Pas tre vjetësh ai kishte vënë re pak ndryshim, ndërsa kishte vendosur që ushqimin ta jepte donacion për Muzeun Kombëtar të Islandës.

Një specialist muzeu më në fund kishte vendosur se nuk kishin pajisje për të prezervuar ushqimin dhe i ishte kthyer pronarit fillestar, sipas Snotra House.

“Mendoj se ka gabuar pasi ky ushqim ruhet vetë”, ka thënë Smarason.

Pasi ka kaluar nëpër disa hostele në Reykjavík, ushqimi u vendos në shtëpinë aktuale.

Fotografitë e postuara nëpër mediat sociale kanë nisur diskutime edhe për ushqimet tjera që i mbijetojnë kohës.

Një përdorues Twitteri tha se mësuesi i tij e kishte vendosur një burger në raft, por edhe pas shumë vjetësh, ai as ishte mykur dhe kjo, siç shkroi ai, ka ardhur “pasi në të nuk ka vlera të mjaftueshme ushqyese as për mikrobe”.

Kujtojmë se më parë ka qenë Karen Hanrahan ajo që kishte blerë një hamburger më 1996 dhe pas 14 vjetësh ajo thoshte se nuk kishte ndryshuar asgjë dhe se dukej sikur ditën kur e kishte blerë.

McDonald's më 2013 kishte thënë se “në mjedisin e duhur, burgerët tanë, si shumica e ushqimeve tjera, mund të dekompozohen”, por pa lagështi në hapësirën ku është mbajtur, s’kanë pasur “mundësi të myken apo të marrin baktere apo të dekompozohen”.

Edhe një ligjërues i lartë i shkencave ushqimore në Universitetin e Islandës, Bjorn Adalbjornsson, konfirmoi këtë sqarim, duke i thënë AFP-së se pa lagështi, “ushqimi thjeshtë do të thahet”.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme