Miliarderi japonez kërkon një partnere për udhëtimin turistik në Hënë Foto: Reuters

Miliarderi japonez kërkon një partnere për udhëtimin turistik në Hënë

13 January 2020 09:14

Miliarderi japonez Yusaku Maezawa është në kërkim të një partnereje për ta shoqëruar në udhëtimin turistik në Hënë.

44-vjeçari pritet të jetë pasagjeri i parë që do të udhëtojë rreth hënës me fluturaken “Spaxe X”. Udhëtimi i planifikuar më 2023 është misioni i parë rreth hënës për njerëzit që nga viti 1972.

Në një paraqitje online, Maezawa ka thënë se dëshiron të ndajë përvojën me një grua të veçantë.

Moguli i modës, që së fundmi është ndarë nga e dashura aktorja Ayame Goriki, ka kërkuar nga gratë që të aplikojnë në uebfaqen e tij për këtë ngjarje.

“Teksa ndjenjat e vetmisë dhe zbrazëtisë ngadalë po rriten tek unë, ka një gjë për të cilën mendoj: Të vazhdoj ta dua një grua”, ka shkruar ai në uebfaqen e tij. “E dua një partnere jetësore. Me partneren e së ardhmes, dua të shfaq dashurinë tonë dhe paqen në botë nga hapësira”.

Uebfaqja përmban një listë kushtesh dhe një planprogram tre muajsh për procesin e aplikimit. Kushtet janë që gruaja të jetë beqare, më e vjetër se 20-vjeç, pozitive dhe të ketë interesim të shkojë në hapësirë, transmeton Koha.net.

Ai ka bërë të ditur se aplikimi mbyllet më 17 janar dhe një vendim final do të merret në fund të muajit mars.

Maezawa ka krijuar pasurinë e tij në botën e modës. Ai është themelues i shitores online të rrobave ‘Zozo’. Besohet se ka pasuri personale në vlerë të rreth 3 miliardë dollarëve. U bë i njohur në botë vitin e shkuar pasi u caktua si pasagjeri i parë privat për udhëtim drejt Hënës me “SpaceX”, kompani e Elon Muskut. Çmimi që ka paguar ai për udhëtimin nuk është bërë i ditur, por sipas Muskut, “ishin shumë para”. Maezawa ka thënë se planifikon që me vete të marrë edhe një grup artistësh.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme