Një gjinekolog në Holandë u bë babai i 21 fëmijëve dhe potencialisht dhjetëra të tjerëve duke përdorur spermën e tij pasi prindërit e mundshëm iu drejtuan atij për trajtimin e fertilitetit, ka zbuluar një hetim.
Jos Beek ka punuar në spitalin Elisabeth në Leiderdorp midis 1973 dhe 1998. Ai vdiq më 2019.
Çiftet që trajtoheshin nga Beek kishin pritur që të ishin përfitues të mostrave nga donatorë anonimë të spermës. Spitali Alrijne tha se nuk besonte se Beek i kishte thënë dikujt të vërtetën, raporton Guardian.
Skandali u shfaq pasi një organizatë që gjurmon prindërit biologjikë për ata që lindën duke përdorur donacione anonime gjeti një përputhje midis ADN-së së Beek dhe 21 fëmijëve, nënat e të cilëve kishin marrë trajtim në klinikën e tij midis viteve 1973 dhe 1986.
Peter Jue, një anëtar i bordit të drejtorëve në spitalin Alrijne, tha se ai nuk mund të përjashtonte mundësinë që Beek të ishte babai biologjik i shumë fëmijëve të tjerë pasi kishte trajtuar nënat e tyre.
Të dhënat spitalore të periudhës nuk ekzistojnë më, ndaj është bërë një apel i përgjithshëm që njerëzit të dalin përpara.
Beek është mjeku i tretë në Holandë që zbulohet se ka përdorur spermën e tij gjatë trajtimit të fertilitetit.
Në tetor 2020, testet e ADN-së zbuluan se gjinekologu Jan Wildschut, i cili vdiq në vitin 2009, ishte babai biologjik i 17 fëmijëve. Një vit më parë u zbulua se mjeku Jan Karbaat kishte përdorur spermën e tij për 49 fëmijë, me pacientë të panjohur.
Sipas një ligji që hyri në fuqi më 2004, njerëzit në Holandë kanë të drejtë të dinë identitetin e prindërve të tyre biologjikë sapo të mbushin moshën 16 vjeç.
© KOHA.